Bota

Rrëfim dhe pamje të rralla nga burgjet në Siri ku po mbahen ish-pjesëtarët e ISIS-it

Të burgosurit e mbulojnë dyshemenë si një tepih i dëshpërimit njerëzor. Shumë prej tyre i kanë humbur sytë ose gjymtyrët, disa janë bërë asht e lëkurë nga sëmundja dhe shumica janë të veshur me rroba të portokallta, të ngjashme me rrobat që ISIS-i ua veshte robërve të tyre para se t’i vriste.

Në katin e dytë, të ngjeshur në dy qeli me pak rreze dielli, ndodhen më shumë se 150 fëmijë, të moshës 9 deri 14 vjeçare. Ata kanë prejardhje nga vende të ndryshme. Prindërit e tyre i sollën në Siri dhe përfunduan të vrarë ose të burgosur. Fëmijët gjenden aty qe disa muaj dhe nuk kanë ndonjë ide se ku janë të afërmit e tyre apo çfarë i pret në të ardhmen.

“Kam një pyetje”, tha një djalë nga Surinami brenda qelisë së tij. “Çfarë do të ndodhë me ne? A do të dalin fëmijët nga ky vend?”

Vizitat e rralla në dy burgjet e kushtuara për ish-banorët e territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik në pjesën verilindore të Sirisë nga gazeta “The New York Times” këtë javë i vënë në pah përmasat e një krize humanitare dhe ligjore, e cila po vazhdon të rritet dhe të cilën bota ka vendosur ta injorojë në masë të konsiderueshme.

Fëmijët e mbyllur në një kamp të Sirisë

Pas rënies së kalifatit të vetëshpallur të Shtetit Islamik në Siri, dhjetëra mijëra burra, gra e fëmijë, të cilët jetonin në atë pjesë, përfunduan në kampe të ndyra dhe burgje të stërmbushura, të kontrolluara nga grupet e armatosura kurde, të cilat kishin bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për t’i mposhtur xhihadistët.

Megjithatë, tash që Turqia e ka nisur një ofensivë ushtarake kundër forcave kurde dhe e ka sjellë një valë të re të dhunës, duke e dobësuar kontrollin e këtyre forcave në rajon, janë rritur paqartësitë për fatin e shumë njerëzve që i mbijetuan rrëzimit të Shtetit Islamik dhe që tashmë janë strehuar në burgje e kampe ndalimi.

Shumica e vendeve të tyre kanë refuzuar që t’i marrin ata në atdhe nga frika se kanë qëndrime ekstremiste apo mund të kryejnë sulme. Kështu, në vend të kësaj, qeveritë e tyre kanë zgjedhur që t’i lënë ata në duart e forcave të udhëhequra nga kurdët, të cilat kanë mungesë të burimeve për t’i strehuar, ushqyer dhe mbrojtur ata, e aq më pak për t’i hetuar personat e rritur dhe për t’u ofruar fëmijëve shkollim dhe rehabilitim, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli