Bota

Roth: Pas Brexit-it, Berlini merr rolin e Britanisë për vendet e vogla të BE-së

Berlinit do t’i duhet të vesh mantelin e Britanisë si mbrojtës i interesave të demokracive më të vogla, veriore liberale të Evropës pas Brexit-it, ka thënë ministri gjerman për Evropën, duke parashikuar se largimi i Britanisë do të riekuilibronte Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Reutersin, ministri Michael Roth tha se Gjermania do të bartë përgjegjësi më të madhe për vendet e pasura në veri dhe në perëndim të saj, të cilat tradicionalisht janë rreshtuar prapa Britanisë në mbështetje të një BE-je ekonomikisht liberale.

“Pas Brexit-it, ekuilibri i BE-së do të rindërtohet”, tha ai. “Për Danimarkën, Suedinë apo Holandën, Britania ishte një partner shumë i rëndësishëm. Këto vende tani kanë një interes për marrëdhënie më të afërta me Gjermaninë”, transmeton Koha.net.

Britania pritet të largohet nga blloku më 31 janar, pas së cilës datë vendi s’do të ketë më ndikim në punët e BE-së. Tradicionalisht, Londra është parë si një avokate e një BE-je të përqendruar në bashkëpunimin ekonomik, duke e harmonizuar atë me fqinjët veriorë të cilët ishin të kujdesshëm për thellimin e marrëdhënieve politike.

Por ai refuzoi pretendimet se mospajtimet mes Parisit dhe Berlinit rreth zgjerimit të BE-së në Ballkan nënkuptojnë se ‘motori franko-gjerman’, që tradicionalisht ka qenë në zemër të integrimit evropian, është i sforcuar.

Gjermania është parë si boshti rreth së cilit Franca më statike dhe Britania më liberale janë rrotulluar, por largimi i Britanisë nuk do të bëjë që Parisi e Berlini të distancohen.

“Për momentin, po shohim se përderisa ka pajtim të gjerë mes Berlinit dhe Parisit në shumë fusha, ka edhe fusha ku bashkëpunimi ka ngecur – pavarësisht Brexit-it”, tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shkaktoi kokëçarje vitin e kaluar kur vuri veto ndaj hapjes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke hedhur poshtë kështu të arriturat e politikës së jashtme të të dyja vendeve.

“Shpresoj të shohim lëvizje në këtë fushë shpejt”, tha Roth. “Komisioni (Ekzekutiv) i BE-së së shpejti do të bëjë një propozim të cilin shpresoj të gjitha shtetet anëtare do ta pranojnë”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483