Bota

Rivalët e Libisë nënshkruajnë marrëveshje për armëpushim në Gjenevë

Fraksionet ndërluftuese të Libisë kanë nënshkruar një marrëveshje për armëpushim të përhershëm, pas pesë ditëve të bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë.

Marrëveshja – e arritur në mes të liderëve ushtarakë të Qeverisë së Libisë dhe forcave opozitare të udhëhequra nga Gjenerali, Khalifa Haftar – është ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.

E dërguara e OKB-së në Libi, Stephanie Williams, e ka quajtur marrëveshjen “shenjë tejet të rëndësishme të shpresës për popullin e Libisë”.

Libia është përfshirë nga dhuna, prej kur Muammar Gaddafi është larguar prej pushtetit nga forcat e përkrahura nga NATO-ja më 2011.

Ky shtet i pasur me naftë, është pikë kyçe e transitit për migrantët që nisen nga Afrika në Evropë.

Shumë shtetas të Libisë është thënë se janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Agjencia e lajmeve AFP ka cituar të dërguarën e OKB-së të ketë thënë se armëpushimi do të mundësojë që njerëzit e zhvendosur brenda dhe jashtë shtetit, të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Duke sqaruar kushtet e marrëveshjes, ajo ka thënë se të gjitha palët janë pajtuar që “të gjitha njësitë ushtarake dhe grupet e armatosura në frontin e luftës, të kthehet në kampet e tyre”.

Kjo do të “pasohet me largimin e të gjithë mercenarëve dhe luftëtarëve të huaj nga territori i Libisë, në periudhë maksimale prej tre muajsh, duke nisur nga sot”.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht kontrollon kryeqytetin Tripoli dhe zonat përreth, derisa forcat besnike të gjeneralit Haftar drejtojnë pjesën lindore të shtetit nga Bengazi.

Sa u përket mbështetësve ndërkombëtarë, Turqia, Katari dhe Itali përkrahin qeverinë në Tripoli, derisa Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti përkrahin Haftarin.

Libia ka rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në Afrikë.

Nga muaji janar, një grup i armatosur, besnik ndaj Gjeneralit Haftar, pati bllokuar zonat e naftës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe miliarda dollarë humbje në eksporte të Libisë.