SPORT

Riola Xhemaili, njëra prej talenteve më të mëdha të futbollit në Zvicër

Riola Xhemaili, 17-vjeçare, është njëra prej talenteve më të mëdha të futbollit në Zvicër. Ajo luan për U-19 të Zvicrës dhe për Baselin, ndërsa ka një karrierë të tërë para.

Kështu ka shkruar faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Zvicrës të premten. Në fakt Federata zvicerane rrallë prezanton lojtarë apo lojtare në faqen zyrtare. Kjo dëshmon se në Riolën vërtetë llogaritet shumë nga zviceranët.

“Dua të luaj jashtë vendit, ndërsa tashmë kam bërë hapin në ekipin senior”, ka thënë Riola kur është pyetur se ku dëshiron të jetë pas pesë vjetësh si futbolliste.

Ajo ka luajtur edicionin e parë me Baselin në Superligën e Zvicrës. Edicioni është ndërprerë për shkak të koronavirusit.

“Në aspektin sportiv, është vërtetë mëkat që është ndërprerë. Ne kemi ushtruar për muaj, kemi pasur rast të mirë të avancojmë në garën për kupë, ndërsa jemi paraqitur mirë edhe në kampionat”, ka theksuar Xhemaili.

Ajo tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin e ri. Riola është rritur në Solothurn, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllain binjak. Është nga një familje që e do futbollin. Babai dhe xhaxhallarët e saj ishin futbollistë. Njëri prej tyre ka luajtur për Grasshoppersin.

Ajo megjithatë ka nisur në një sport tjetër. Është vlerësuar talentet e volejbollit.

“Por pas stërvitjes në volejboll kam shkuar gjithnjë në shtëpi dhe kam luajtur futboll me vëllain dhe babanë”.

Vëllai i saj, Rioni, ka luajtur për Solothurnin. Në një ndeshje të tij, trajneri e ftoi për stërvitje. Nisi me ekipin U-11 të djemve të Solothurnit.

“Rioni dhe unë kemi luajtur së bashku nga U-11 deri te U-15. Luanim së bashku në mesfushë, ishte shumë mirë”, thotë Riola.

Ajo më pas kaloi te Baseli dhe ishte vajza e vetme në ekipin e meshkujve. Ishte më pas kapitene e U-15. “Jam shumë falënderuese ndaj trajnerit Giuseppe Morello për besimin”.

Ajo debutoi për ekipin e futbollisteve të Baselit në shkurt të vitit 2019, kur ishte ende 15-vjeçare.

“Kam ushtruar me futbollistet e rritura të enjten e të premten. Të shtunën isha në fushë për 90 minuta, shënova golin e parë në NLA dhe dhashë intervistën e parë. Çdo gjë erdhi shumë papritur”.

Trajneri i futbollisteve të Baselit, Sebastian Bader e vlerëson shumë. Sipas tij aftësitë e udhëheqjes të Riolës janë të jashtëzakonshme e njëjtë edhe kualitetet njerëzore. Me fizikun e saj, Riola ofron intensitet të lartë.

Riola vazhdon shkollën dhe jeton e vetme në një apartament të vogël. Por ajo shijon kohën me familjen në Solothurn. Vëllai i saj, Rioni, po ashtu luan për Baselin, në ekipin U-18. Edhe ai shkollohet për sport, njëjtë si Riola.

Riola ka debutuar te Zvicra U-19 me fitoren 7:0 ndaj Letonisë. Në tetor të vitit të kaluar ajo shënoi “hat-trick” në debutim. Madje tre golat i realizoi brenda tre minutave.

Ajo është pjesë e një programi të federatës që përkrah lojtaret me potencial.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.