Kosova

Rini e “revoltuar” në rrjetet sociale, por e urtë në mitingje me politikanë

12 Gushti shënohet si Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Në këtë datë në Kosovë, bëhen shumë aktivë ata që janë krenarë me rininë e vendit, ndërsa kjo e fundit i kritikon të njëjtit, të cilët i cilëson si përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet – shkruan Kosova.info

Duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetarja e kuvendit, pastaj deputetët me radhë,  urojnë rininë dhe falënderojnë për përkushtimin dhe kontributin e saj ndaj vendit. “Rinia si vlerë shoqërore” e shtetit, vlerësohet nga politikanët në ditën e saj, duke shprehur respekt dhe duke e ftuar në takim me ta.

I pari i shtetit Presidenti Hashim Thaçi, në një shkrim u shpreh kësisoj: “Edhe sot kur shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Rinisë zotohem për më shumë angazhim, që të rinjve tanë t’u krijojmë kushte më të mira dhe infrastrukturë bashkëkohore për edukim dhe zhvillim profesional”.

Por vet të rinjtë u japin kritikë politikanëve që në ditën ndërkombëtare të caktuar për ta, të paktën të mos japin fjalë të mëdha, por të punojnë për kushte me të mira studimi e punësimi.

Edon Nishori ish përfaqësues i studentëve të Universitetit të Prishtinës, në një postim në llogarinë e tij në Facebook u shpreh se “12 Gushti si Dita e Ndërkombëtare e Rinisë, nuk duhet të shënohet në Kosovë me aksione e mitingje simbolike, por me protesta masovike për të kërkuar ndryshime në kujdesin dhe të ardhmen e rinisë nga personat dhe organet kompetente të Kosovës”.

Por sikur të rinjtë po i shprehin këto ankesa dhe po i kërkojnë këto kushte më të mira vetëm në botën virtuale me shkrime, ndërsa angazhimi i tyre konkret, lë shumëçka për të dëshiruar.

Trendi i ikjes së të rinjve nga vendi, tregon që ata nuk tregohen këmbëngulës për t’iu kërkuar llogari përgjegjësve kryesor për gjendjen në të cilën ndodhet. Një perspektivë më e sigurt në rrafshin e punësimit si dhe një sistem arsimor më i përparuar, janë dy ndër çështjet më të shpeshta që artikulohen në kritikat e të rinjve, adresuar politikanëve të vendit.

Disa të dhëna nga Instituti GAP tregojnë që 49.4% e të rinjve kosovarë janë të papunë; mbi 32% e të rinjve janë të papunë dhe nuk vijojnë shkolla e as trajnime; vetëm 21% e të rinjve janë shumë të kënaqur me cilësinë e arsimit dhe mbi 59% janë për largim nga Kosova me mundësin e parë që u jepet./Alketa Rrahmani/Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483