Kombëtare

Rikyçen në rrjetin e ujësjellësit konsumatorët e Anamoravës të cilët nuk i kishin kryer pagesat

Konsumatorët të cilët ishin shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit për shkak se nuk kishin kryer pagesat ndaj kompanisë “Hidromorava” tani janë rikyçur në rrjet dhe do të furnizohen me ujë të pijes për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19.

Vendimi është marrë nga drejtuesit e kompanisë “Hidromorava” të cilët kanë theksuar se furnizimi për këtë kategori është i përkohshëm deri në stabilizimin e gjendjes.

Vendim tjetër nga kompania është ndërprerja e inkasimit e të hyrave në komunat të cilat janë futur në karantinë meqë banorët janë prekur nga koronavirusi.

Kryeshefi i kompanisë së ujësjellësit, Muhamed Suliqi ka deklaruar për KOHËN se në këtë kohë nuk do të ketë shkyçje të konsumatorëve nga rrjeti.

“Në këtë kohë nuk realizojmë shkyçje dhe kemi marr një vendim të përkohshëm që konsumatorët të cilët kanë qenë të papërgjegjshëm të cilët i kemi shkyçur tani, i kemi rikyçur në rrjet në këtë kohë deri në normalizim të gjendjes. Kurse nuk inkasojmë të hyra nga komuna e Vitisë që është future në karantinë dhe nga as fshati Zhegër i Gjilanit. Dhe nuk kërkojmë mjete financiare nga bizneset të cilat qëndrojnë të mbyllura. I kërkojmë mjetet nga amvisëritë dhe nga bizneset të cilat janë duke punuar por edhe nga institucionet”, ka thënë ai.

Ai thotë se shqetësimet janë shtuar për kompaninë meqë prej që është shpallur gjendja emergjente e shëndetit publik në Kosovë kanë rënë edhe të hyrat financiare. Ngase shumica e konsumatorëve nuk janë duke kryer pagesat për shërbimet e ujit.

Suliqi deklaron se ata ofrojnë shërbime për 36 mijë konsumator.

“Qytetarët vlerësojnë se në këtë gjendje nuk duhet të paguajnë. Mirëpo duhet të kryhen pagesat në ato mundësitë që ata kanë sepse mandej shfaqen probleme edhe tek ne sepse nuk kemi pare me i ble kimikalet dhe me trajtu ujin. Nëse nuk paguajnë bllokohemi dhe nuk do të kemi mundësi që t’i paguajmë 165 punëtorë dhe nuk do të kemi mundësi që të paguajmë rrymën etj. Inkasimi ka rënë për 90 për qind. Në të kaluarën kemi pasur një inkasim të mirë dhe shifra dhe në muaj kemi inkasuar 180 mijë deri 200 mijë euro”, ka thënë ai.

Ankesa për rënie të hyrave ka edhe kompania e pastrimit “Ekohigjiena” në Gjilan.

Kryeshefi i kompanisë, Senad Ramaj apelon tek qytetarët që të kryejnë pagesat.

“Jemi duke kryer shërbimet mirëpo ka rënë intensiteti i pagesave nga qytetarët. Për ne është e vështirë sepse ne varemi nga pagesat e qytetarëve. Nëse nuk kemi të hyra atëherë nuk do të kemi mundësi që të paguajmë stafin dhe si pasojë nuk do të mund të kryhen shërbimet. Inkasantët tanë janë në terren dhe janë të pajisur me mjete mbrojtëse me dorëza dhe maska” ka thënë Ramaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.