INTERVISTA

Rikthehet për ta vazhduar ëndrrën

Erzen Rrustemi është njëri prej boksierëve më të suksesshëm që përfaqëson shqiptarët anembanë botës. Boksieri nga Gjilani ka arritur ta fitojë katër herë titullin WBU të Evropës, GBU të botës, si dhe dy herë titullin WBF të botës, duke u renditur në mesin e emrave më të mëdhenj të boksit ndërkombëtar, siç janë Carlos Takam, Evender Holfield, Francois Botha dhe Michael Grand. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Rrustemi tregon se ka për synim që të rikthehet së shpejti në ring, pas një pauze njëvjeçare

Erzen Rrustemi bëri bujë të madhe në boksin ndërkombëtar vitin e kaluar, duke regjistruar një sukses të jashtëzakonshëm.

Në mars të vitit të kaluar 35-vjeçari, që përfaqëson me dinjitet shqiptarët në botë, ia doli me mjaft sukses që ta mbrojë titullin e botës në WBF.

Ai në Karsluhe të Gjermanisë ka regjistruar fitore kundër boksierit argjentinas Juan Pedro Guglielmetti. Përveç mbrojtjes së titullit, Erzen Rrustemi fitoi edhe titullin GBU (Global Boxing Union).

Megjithatë, që nga viti i kaluar ai nuk e ka zhvilluar asnjë meç, duke e bërë një pauzë njëvjeçare, për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Boksieri shqiptar rrëfehet në një intervistë për gazetën “Zëri”. “Më së voni në muajin qershor pres që ta vazhdoj rrugëtimin tim aty ku e kam lënë, pa dashjen time”, nis bisedën për gazetën Erzen Rrustemi.

Në dhjetor të muajit të kaluar Erzen Rrustemi kishte aranzhuar një përballje me boksierin argjentinas Victor Emilio Ramirez.

Megjithatë, e njëjta u anulua për shkak të kërkesës së boksierit argjentinas. “Më 8 dhjetor është dashur të përballem me Ramirezin, por pasi kjo përballje u anulua nga ai u dakorduam që të zhvillohet më 26 janar të këtij viti, gjë e cila nuk ndodhi shkaku i gjendjes sime shëndetësore”, theksoi Erzen Rrustemi.

Rikthimi i bujshëm i Erzenit në ring

Boksieri nga Zhegra e Gjilanit në kategorinë e peshave të rënda ka zhvilluar 13 meçe, prej të cilave numëron po aq fitore.

Përballjen e fundit e ka zhvilluar në Karlsruhe të Gjermanisë kundër Juan Pedro Guglielmettit në mars të vitit të kaluar, kur regjistroi fitore të madhe, duke e mbrojtur titullin WBF. Që prej atëherë tifozët nuk e kanë pasur rastin që ta shohin boksierin e famshëm shqiptar në ring.

Megjithatë, Rrustemi tregon se do t’i rikthehet shumë shpejt ringut. “Më 8 dhjetor pata rastin të përballem kundër ish-kampionit të shumëfishtë dhe numrit një në botë, Emiliani Ramirez. Ramirez dhe unë ishim dakorduar që përballja të zhvillohet më 26 janar të këtij viti në Gjermani, por pas gjendjes sime shëndetësore nuk arrita të futem në ring”, theksoi Erzen Rrustemi

Pas anulimit të përballjes me Ramirez, Rrustemi ende nuk ka ndonjë emër të mundshëm për përballjen e ardhshme në ring.

“Aktualisht nuk dihet për kë mund të bëhet fjalë, saktësisht nuk kemi pasur ndonjë emër konkret”, potencoi Erzen Rrustemi.

Një karrierë e pasur në boks

Erzen Rrustemi, i cili garon në kategorinë e peshave të larta, ka fituar katër tituj të WBU-së, titullin GBU të botës, dy herë titullin WBF të botës, ndërkaq karrierën e tij ai e vlerëson mjaft të suksesshme. “Realisht nga këndi sportiv ka qenë një arritje e madhe, sepse kam arritur të fitoj shumë tituj, duke u renditur në mesin e emrave të mëdhenj si Takam, Holifield, Francois dhe Grand. Në ranglistën botërore nga 1306 boksierë aktivë në peshat e rënda isha i renditur në vendin e 49-të, kurse numër një në botë është Anthony Joshua”, vlerësoi Erzen Rrustemi.

Për sukseset e tij Rrustemi u vlerësua edhe nga Komuna e Gjilanit

Pas çdo suksesi vijnë edhe vlerësimet. Edhe për sukseset e Erzen Rrustemit Komuna e Gjilanit e kishte shpallur “Qytetar Nderi”, madje ai ishte dekoruar edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Për arritjet e mia jam vlerësuar nga Komuna e Gjilanit, e cila më shpalli ‘Qytetar Nderi’ në qytetin e Gjilanit në qershor të vitit 2016. Si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në qershor të vitit 2018 më ka dekoruar me çmimin më të madh për një sportist, duke më shpallur ‘Mjeshtër i Madh’. Madje dekoratë kam marrë edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, zbuloi ai.

Mesazhi i Erzen Rrustemit për shqiptarët

Për fund boksieri i suksesshëm shqiptar ka një mesazh të madh për ndjekësit e tij anembanë botë. “Për ata që nuk e dinë, Erzen Rrustemi ka vetëm një shtetësi dhe ajo është shtetësia kosovare, gjithmonë kam luftuar me flamurin kombëtar, duke përfaqësuar shqiptarët në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbështetni shqiptarët në çdo përballje që e kanë, sepse bashkë me ta fitoni, por edhe humbisni ju”, tha Rrustemi.

“Ngushëllimin” e gjeti në vende bregdetare

Ka kaluar një vit qëkur Erzen Rrustemi e zhvilloi përballjen e fundit, por gjatë kësaj periudhe ai vendosi që të pushonte në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Si ngushëllim i gjithë kësaj dhe i gjendjes sime shëndetësore isha në vende të ndryshme për pushime, si në Monako, Spanjë, Fuerte Ventura dhe në gadishuj të tjerë”, vazhdoi më tutje gjilanasi.

Megjithatë, këto pushime kanë lënë disa pasoja te 35-vjeçari, i cili thotë se ka vuajtur edhe nga mbipesha.

“Hakmarrja e gjithë këtyre pushimeve ishte mbipesha. Por tani këto faza i kam kaluar dhe jam fokusuar për përballjen e radhës”, pohoi Erzen Rrustemi