Rikonstituohet Bordi i RTK-së, Besnik Boletini, rizgjidhet si kryetar

Besnik Boletini është rizgjedhur kryetar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Emërimi i tij ka ardhur pasi Kuvendi i Kosovës ka rizgjedhur si anëtarë të Bordit të RTK-së me mandat shtesë 3-vjeçar Besnik Boletinin dhe Arta Berishën.

“Në mbledhjen e Bordit të zhvilluar me datë 18 mars 2024, në përputhje me Ligjin për RTK-në, Statutin e RTK-së dhe Rregulloren e punës së Bordit të RTK-së, anëtarët e Bordit kanë rizgjedhur për kryetar të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini për një mandat shtesë”, thuhet në njoftimin e Bordit.

Besnik Boletini ka qenë në këtë detyrë për një mandat 2-vjeçar deri në dhjetor 2023, kur mandati i tij ka përfunduar.

“Duke filluar nga data 18 mars 2024, Bordi i RTK-së do të vazhdojë punën nën udhëheqjen e z. Besnik Boletini si kryetar, ndërsa Albulena Mehmeti do të vazhdojë të mbajë pozicionin e nënkryetares”, thuhet më tej në njoftimin e Bordit. Prioritet i këtij institucioni, thuhet se do të mbetet mbikëqyrja transparente e punës së RTK-së në drejtim të reformave administrative dhe programore.

“Bordi i RTK-së shpreh falënderim për besimin e Kuvendit të Kosovës në punën e Bordit, dhe premton që do të vazhdojë të punojë për përmbushjen e misionit të RTK-së në shërbim të publikut të Republikës së Kosovës”, thuhet në fundit të njoftimit të Bordit të RTK-së. /Kosova.info/

Go to TOP