Kosova

Richard Grenell mbetet në krye të dialogut Kosovë-Serbi

Vendosja e taksës 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nga Qeveria Haradinaj në nëntor të vitit 2018, u bë shkak i ngecjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Që nga ajo kohë, pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë ulur në tryezën e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian kanë shpeshtuar thirrjet për rifillim të dialogut dhe nënshkrimin e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje SHBA-të rifillimin e dialogut janë duke e pritur menjëherë pas qartësimit të situatës politike në Kosovë dhe krijimit të Qeverisë së re.

Kjo është bërë e ditur nga zyra e ambasadorit Richard Grenell, ani pse u raportua nga agjencia gjermane DPA se Grenell po planifikon të dorëhiqet nga pozita e ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se Grenell do të vazhdojë të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ambasadori Grenell mbetet si i dërguari presidencial dhe ai pret diskutimin e ardhshëm të dialogut, sapo të përcaktohet përbërja e qeverisë së Kosovës”, ka thënë Custin.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti javën e kaluar në një video-konferencë me studentët e Universitetit të Harvardit, tha se ambasadori Richard Grenell nuk ia dëshiron të keqen popullit të Kosovës, por kërkesën për përshpejtim të arritjes së marrëveshjes më tepër e sheh si “arritje historike nga ana e vetë Grenell”.

Ndërkaq rreth idesë për shkëmbim të territoreve, zëdhënësi i ambasadorit Grenell u shpreh se ambasadoru nuk ka diskutuar asnjëherë për këtë çështje.

“Ambasadori nuk ka diskutuar kurrë për ndonjë shkëmbim territoresh”, tha Custin.

Javë më parë shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, tha  se opsioni i shkëmbimit të territoreve është çështje për të cilën duhet të vendosin palët negociuese. Kjo deklaratë e tij nxiti reagime të shumta si në vend, po ashtu edhe tek zyrtarët e tjerë të BE-së.

Kujtojmë se nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore, Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave që do t’i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.