Kombëtare

Riaktualizohet kërkesa që dita e diel të jetë ditë pushimi edhe në Gjilan

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi kërkon nga komuna e Gjilanit që të procedojë në Kuvendin Komunal dhe të miratojë rregulloren për orarin e punës e cila përcakton që dita e diel të jetë ditë pushimi për punëtorët.

Ajo ka deklaruar për gazetën “Koha Ditore” se do të angazhohet që të ketë ndryshim të ligjeve dhe të përcaktohet që dita e diel të jetë ditë pushimi në të gjitha komunat.

“I jam drejtuar organeve komunale me postimin në rrjetin social, normalisht që organet komunale e kanë pasur një pikë të rendit të ditës domethënë kanë pasur diskutime dhe nuk është votuar nuk ka kaluar si propozim. Jam drejtuar organeve komunale por edhe nivelit qendror dhe do të bëjmë të pamundurën që të sjellim si amendament dhe me shty përpara. Iniciativën do të merr edhe nivelin qendror sepse realisht niveli qendror vendos për këtë çështje. Sepse komunat vendosin vetëm brenda komunës vet. Duhet që të jetë si amendament i veçantë tek ligji i punës. Punëtorët duhet të kenë pushim të mjaftueshëm, kohë të lirë për familjet e tyre”, ka thënë ajo.

Mirëpo thirrjet e deputetes që dita e diel të jetë ditë pushimi vlerësohen se nuk janë të qëndrueshme.

Kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, deklaron se qeverisja komunale në Gjilan që udhëhiqet nga LDK-ja nuk ka shprehur vullnet që të procedojë me miratimin e rregullores për orarin e punës për subjektet afariste.

Kadriu ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook që të akuzojë këshilltarët komunalë të LDK-së se po pengojnë miratimin e rregullores.

“Ka disa muaj që po shtyhet e po pengohet që e diela të bëhet pushim edhe në sektorin privat. Këtë çështje e kemi ngritur disa herë, por gjithmonë jemi penguar nga asamblistët e LDK-së, shumica e të cilëve kanë biznese ndërtimi dhe biznese tjera private, ku i shtypin dhe e shfrytëzojnë në maksimum fuqinë punëtore. Takohuni dhe flisni me partinë tuaj e jepni fund këtij maskarallëku e pastaj dilni e flisni publikisht nëse keni diç për të thënë. Pra, ju jeni arsyeja pse ky problem nuk ka marrë fund, ju jeni arsyeja pse vuajtjet e punëtorëve të sektorit privat ende nuk kanë marrë fund në Gjilan”, ka thënë ai në këtë postim.

Rregullorja për orarin e punës ende nuk është proceduar në Kuvendin Komunal dhe arsyetimi për këtë zvarritje është se është duke u punuar në plotësimin dhe harmonizimin e rregullores në fjalë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.