Kosova

Haradinaj falënderon shqiptarët e Amerikës: Qeveria të shtojë përpjekjet për sigurimin e vaksinave

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka falënderuar Kongresin Panshqiptar Amerikan të cilët kanë filluar lobimin për të siguruar vaksinat kundër COVID-19 për Kosovë.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë e gatshme që çdo herë t’i përgjigjet atdheut.

“Falënderues për Kongresin Panshqiptar Amerikan, i cili ka filluar lobimin për sigurimin e vaksinave anti-covid për Kosovën. Diaspora shqiptare asnjëherë nuk u nda nga trungu shqiptar. Ata ishin të gatshëm që çdo herë t’i përgjigjen Atdheut, në të gjitha periudhat historike”.

Ai tha se vazhdimisht ka përsëritur se duhet shfrytëzuar të gjitha lidhjet dhe ndikimet që Kosova ka në botë për çështjet me rëndësi, sidomos interesat nacionale.

I pari i AAK-së po ashtu i bëri thirrje qeverisë që të shtojë përpjekjet për sigurimin e vaksinave.

“Vazhdimisht e kam përsëritur se duhet të shfrytëzojmë të gjitha lidhjet dhe ndikimin që e kemi në botë, sidomos përmes shqiptarëve të suksesshëm në Diasporë, për çështjet me rëndësi, veçanërisht për interesat nacionale. Në këtë frymë, Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të shtojë përpjekjet për shpejtimin e sigurimit të vaksinave të nevojshme për kategoritë e rrezikuara nga virusi, e të gjithë duhet jemi të gatshëm të bëjmë rolin tonë në këtë proces të rëndësishëm”.