Kosova

Reshitaj: Duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e jo të paragjykohet

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë që nuk duhet të paragjykohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

“Deputetët duhet ta respektojnë vendimin e Kushtetueses, pasi është institucioni më përgjegjës dhe ne normalisht që duhet ta përqafojmë atë vendim. Gjithçka tjetër, kalon në nivel të thashethemeve dhe paragjykimeve. Nuk jemi të thirrur si deputetë për të paragjykuar një vendim të një institucioni kaq kredibil”.

“Mund të kemi mendimet tona, por duhet të presim vendimin profesional të Gjykatës Kushtetuese, pasi ata janë më të thirrur për të dhënë një koment rreth kësaj çështjeje”.

“Dua të besoj që një president i shtetit e ka konsultuar jashtëzakonisht mirë me kabinetin, dekretin që e ka dërguar në gjykatë. Prandaj konsideroj dhe do të duhej të ishte një përgjegjësi e madhe e shtetit për të bërë gabime në këtë çështje”.

Reshitaj në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që Vetëvendosje duhet t’i kërkojë falje AAK-së, pasi sipas saj, në kohë pandemie është dashur të votojnë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Në kohë të pandemisë, jemi detyruar me qenë pjesë e një situatë të rëndë që e ka shkaktuar VV me shkarkimin e një personaliteti në periudhën më kritike…me kriju një përçarje”.

“Është ditur që do të ketë një çarje të pashërueshme. Nëse VV e ka menduar me seriozitet trajtimin e pandemisë, është dashur të tejkalojë atë situatë”.

“Ata duhet të na kërkojnë falje pasi është dashur të votojmë një mocion mosbesimi. Ne nuk kemi qenë përçarës, por kemi qenë duke bërë opozitarizmin. Për AAK-në ka qenë befasi ajo çka ka ndodhur mes VV dhe LDK”.

“Qeveria s’ka qenë  e fokusuar në pandemi. Këto janë ego që tejkalojnë njerëzoren dhe nëse dikush do të duhej të ndihej fajtor pse vendi ka votuar një mocion mosbesimi ata janë Vetëvendosje”, është shprehur Reshitaj.