Kombëtare

Reportazh/ Topanica e Kamenica, pas infektimit të 12 personave nga virusi korona

Dymbëdhjetë qytetarë nga fshati Topanicë i Komunës së Kamenicës, kanë rezultuar pozitiv, pas testimit të mostrave të

marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Rastet pozitive janë raste kontakti.

Ky lokalitet i cili ka rreth dy mijë banorë, vazhdon të mbetet i izoluar, ku forcat policore janë vendosur atje, duke mos lejuar hyrje daljet nga Topanica, e cila ndodhet rreth dhjetë kilometra larg nga Kamenica e rreth 20 nga Gjilani. 

“Syri.net”, ka qëndruar sot tek ky lokalitet i cili është vënë në karantinë, ku shihen automjete policie përreth fshatit.
I pari i infektuar ishte një shofer autobusi, që lëvizëte nga Kosova në Gjermani e anasjelltas dhe pastaj ai ka kontaktuar edhe të tjerët e këtij fshati.

Jo vetëm reshjet jo të pakta të borës, por edhe përhapja e koronavirusit në Topanicë, ku tashmë janë të infektuar 12 persona, ka bërë që Komuna e Kamenicës me rreth 30 mijë banorë sot të jetë më e boshatisur se asnjëherë.

Topanica

Kryetari i Komunës së Kamenicës, tha për “Syri.net”, se tashmë bëhet fjalë për 12 të prekur me koronavirus nga fshati Topanicë, të cilët dyshohet se janë infektuar nga kontakti me një banorë vozitës autobusi Kosovë Gjermani, i cili ka ardhur në vendin tonë me 18 mars dhe i cili u konfirmua se ishte infektuar me Covid 19.

E pastaj sipas Kastratit, pas kontakteve me të, doli se janë prekur edhe 11 të tjerë po nga ky fshat të konfirmuar zyrtarisht pas analizave nga IKSHP-ja.

“Janë bërë analizat edhe të 17 familjarëve e të tjerëve, 11 nga të cilët rezultuan pozitiv. Shumica e personave të infektuar janë të moshës së re, në përjashtim të një rasti që është në moshë më të shtyer

Është sfiduese se i prekuri i parë  ka pasur simptoma kokëdhembje e barku, por jo edhe të tjera dhe që nuk besonim se mund të jetë me virusin korona”, tha Kastrati.

Kryetari i Kamenicës, tregoi se disa ditë 42 vjeçari kishte qëndruar në fshat, ku ka kontakuar jo pak persona dhe 11  dolën se nga kontakti janë infektuar.

Ai tregoi se fshati Topanicë është i izoluar dhe lëvizja lejohet vetëm për nevoja e deomosdoshme të furnizimit me ushqime, barnash e çështje shëndetësore.
“Të gjithë së bashku besojmë se do ta kalojmë si është më së miri këtë sfidë”, tha Qëndron Kastrati.

Ai falënderon qytetarët për respektimin e vendimeve të institucioneve që kanë bërë deri tash, por duhet edhe më shumë. Të merren shembujt më të mirë në botë, duke respektuar  masat mbrojtëse e të cilat vende po e kalojnë pandeminë shumëmë lehtë e pa pasoja.

“Nuk është në dorën e shtetit kjo përballje, sepse dihet se as shtetet më të zhvilluara nuk po munden ta përballojnë pandeminë globale dhe kujdesin më të madh duhet ta bëjnë qytetarët”, tha Kastrati.

Kreu i Kamenicës, tregoi se kanë mjete mbrojtëse dhe nuk duhet ankuar, sepse institucionet shëndetësore janë mirë për momentin.

Ai i bënë apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi. Nuk është koha për mosbindje, joseriozitet e mospërfillje. Shmangni daljet pa nevojë, ruani distancën dhe kujdesuni për veten.Ajo se çka na mbronë dhe e parandalon këtë, është të qëndruarit në shtëpi”, shtoi Kastrati.

“Lusim qytetarët të mos krijojnë panik, por të bëjnë kujdes të shtuar duke qëndruar në shtëpi, dhe duke zbatuar udhëzimet e dhëna nga Qeveria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Komunës.

Bashkë mund t’ia dalim. Rri në shtëpi”, tha Kastrati.

Edhe drejtoresha për Mbrojtje e Shpëtim e Komunës së Kamenicës, tregoi për “Syri.net” se deri më tash janë konfirmuar 12 të inektuar nga Covid 19 e të cilët janë nga fshati Topanicë, i ciliështë në karantinë. Ajo tregoi se do të marrin masa me qëllim të parandalimit të mëtejmë të koronavirsuit, duke kërkuar nga qytetarët të zbatojnë rekomandimet e institucioneve.

Komuna ka ndërmarr masa adekuate në parandalimin e kësaj pandemie dhe se qytetarët e Kamenicës po zbatojnë me përpikmëri vendimet e institucioneve.

Shqetësim është lëvizja e qytetarëve dhe grumbullimi i panevojshëm në kohë pandemie, dy drejtorët bënë një apel që qytetarët të marrin me shumë seriozitet lëvizjet e pa nevojshme, daljet të shfrytëzohen vetëm për raste furnizimi emergjent për nevojat familjare.

Nga ana tjetër drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Gjianit, Sami Spahiu, ka takuar kryetarin e Komunës Qëndron Kastratin dhe drejtoreshën për Mbrojtje e Shpëtim në Komunën e Kamenicës, ku është prit nga drejtoresha Pajtesa Kryeziun, ku kanë diskutuar për situatën e fundit  me koronavirusin në këto dy komuna.

Ai tha se në raste të përshkallëzimit të situatës do të rritet bashkëpunimi në menaxhimin të saj.