SHËNDETËSIA

Vdekjet e dyshimta në QKUK: Mjeku i deklaron hetuesisë se problemet me oksigjen zgjatën 1 orë

Brenda 72 orësh, në dy njësi të ndryshme të QKUK-së, ku trajtohen pacientët me COVID-19, është raportuar për rënie të presionit të oksigjenit në aparatura furnizuese.

Hetimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 6 vdekjet e orëve të para të së dielës në Klinikën Infektive, siç ka mësuar KOHA, ka nisur pas thirrjes nga Infektivja dhe dyshimeve të mjekut kujdestar që lidhen me pamjaftueshmëri të furnizimit të oksigjenit për pacientët.

Rënia e presionit të oksigjenit të dielën, siç kanë thënë burime brenda Klinikës, dhe janë konfirmuar nga deklaratat në hetuesi, ka zgjatur rreth një orë dhe niveli ka qenë rreth 21 për qind.

Ky është niveli i oksigjenit në kushte të zakonshme, ndërsa për persona që u nevojitet frymëmarrje e asistuar, sipas mjekëve, ai duhet të jetë nga 22 për qind e lart deri në 100 për qind, varësisht nga gjendja e pacientit.

Hetuesia nuk i është përgjigjur zyrtarisht interesimit të KOHËS rreth hetimit.

Probleme me nivelin e furnizimit me oksigjen, por pa pasoja për pacientët, sipas burimeve të KOHËS brenda ShSKUK-së, mjekët kanë raportuar edhe të martën. Pak minuta pasi Koha.net e publikoi këtë informatë, ShSKUK-ja përmes një reagimi publik nuk e demantoi rënien e nivelit të presionit të oksigjenit, por theksoi se “nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve”.

Punëtorë shëndetësorë që janë duke shërbyer në Mjekësinë Sportive, ku po trajtohen rastet e rënda të të sëmurëve me COVID, në kushte anonimiteti, kanë njoftuar se rreth 30 minuta ka zgjatur mosstabiliteti i furnizimit me oksigjen. Sipas tyre, furnizimi është stabilizuar pas intervenimit të përgjegjësve të mirëmbajtjes.

KOHA posedon dëshmi për rënien e përqindjes së presionit të oksigjenit dhe për paralajmërimin e aparaturave se furnizimi është në rënie. Për këtë janë njoftuar Bordi dhe drejtori i ri i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Krasniqi nuk ka pranuar të japë deklaratë rreth kësaj çështjeje. Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk është prononcuar.

ShSKUK-ja para disa javësh ka nënshkruar kontratë të re për furnizim me oksigjen, ndërkohë që ka kontratë të veçantë me një kompani tjetër për mirëmbajtjen e sistemit të oksigjenimit.