SHËNDETËSIA

Rënia drastike e infektimeve, kjo është gjendja me Covid-19 në Kosovë

Në Kosovë është ulur drastikisht numri i të infektuarve me Covid-19. Aktualisht janë 162 raste aktive. Po ashtu, ka disa ditë që nuk është shënuar asnjë vdekje nga COVID-19.

Derisa vendet e Evropës dhe botës kanë nisur çlirimin e masave paralelisht me rritjen e vaksinimeve, në Kosovë ka ndodhur pak më ndryshe. Kjo sepse Kosova ka nisur pothuajse e fundit me vaksinim, e deri tash janë vaksinuar rreth 6 për qind e popullësisë.

Megjithatë, në Kosovë ka nisur rënia drastike e infektimeve. Gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar 2 raste me Covid-19, ndërsa në nivel të vendit janë 162 raste aktive.

Prej fillimit të pandemisë në Kosovë, zyrtarisht, janë regjistruar 107,655 raste të infektuara me Covid-19. Nga ta janë shëruar 105,241 persona, ndërsa 2,252 persona kanë vdekur nga virusi.

Marrë nga faqja zyrtare e Minsitrisë së Shëndetësisë
Pasqyra paraqet të dhënat e ditës së sotme (e hënë, 21 qershor)

Deri tash janë vaksinuar 134 mijë e 391 qytetarë nga rreth 1.7 milion banorë, ka fare pak raste aktive me Covid. Vaksinimi masiv ka nisur në fillim të kësaj jave.

Tani qytetarët kanë filluar që ta marrin edhe dozën e dytë të vaksinës, teksa me prioritet janë qytetarët e të gjitha moshave që kanë sëmundje kronike, ku deri tani janë vaksinuar 19 mijë e 518 qytetarë me dozën e dytë.

Doza e fundit të vaksinave arritën në Kosovë më 25 mijë, ku Kosovës iu dhuruan 100 mijë e 620 vaksina Pfizer, falë Aleancës Gavi të COVAX. Aktualisht procesi i vaksinimit është duke u zhvilluar në qendrën “1 Tetori”, në Prishtinë si dhe në QKMF-të e komunave të vendit. 

Pas uljes së numrit të infektimeve, vendi u lirua nga masat kufizuese. U largua ora policore dhe u lejua lëvizja pa maska të qytetarëve gjatë ecjes kur ata janë vet dhe në ambientet e jashtme.

Po ashtu u lejua mbajtja e ahengjeve të vogla familjare me një numër të caktuar si dhe u në zgjatja e orarit të punës së gastronomisë deri në orën 23:00.

Numri i vogël i infektimeve ka bërë që të lirohen edhe shtretërit në QKUK ku po trajtoheshin pacientët me COVID-19.

Sipas raportit të 24 orëshit të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë gjithsej 63 pacientë në trajtim (për COVID-19), prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 22 pacientë.