Bota

Rekord global infektimesh dhe viktimash

24-orëshi i fundit shënoi rekorde të reja globale të pandemisë së Covid-19. Mbi 679 mijë janë të infektuarit e rinj dhe gati 12,700 viktimat.

Rekordet më të larta ditore u shënuan në Shtetet e Bashkuara, ku pati 218 mijë raste të reja infektimesh dhe mbi 2,900 viktima.

Nisur nga këto shifra, presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se në 100 ditët e para të administratës së re do të vendosë mbajtjen e detyrueshme të maskave, duke shprehur bindjen se kjo do të sjellë reduktim drastik të infektimeve të reja.

Numri i dytë më i lartë i viktimave u shënua në Gjermani me 479 raste.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn bëri thirrje për ashpërsimin e masave në zonat me shifrat më të larta të pandemisë, për të frenuar ritmet e përhapjes.

Këtë të premte, Austria nisi aplikimin e metodës së testimit masiv, që e nxjerr përgjigjen e brenda 24 orëve. Të gjithë qytetarët që dyshojnë për infektim mund të kryejnë teste në pika të caktuara nëpër qytete.

24-orëshin e fundit edhe Italia shënoi një rekord të ri viktimash edhe pse infektimet e reja janë në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme krahasuar me rekordet e mesit të nëntorit.