Kosova

Reka optimist se këtë vit hiqen vizat

Minsitri Reka tha se argumenti se liberalizimi i vizave nuk po ndodhë nga frika se do të ketë shumë azil kërkues, nuk është bindës.

“Në ambasadat e vendeve të bashkimit evropian përqindja e refuzimeve të vizave për qytetarët e Kosovës sillet nga 12 deri në 20 për qind që nuk është një nivel aq i lartë refuzues për të ngritur dyshimin se po të hapeshin kufijtë e tërë Kosova do të shpërngulej në BE. Ne kemi shtete shumëfish më të mëdha me dëshmi shumëfish më të lartë të korrupsionit siç është Ukrania, Gjeorgjia, Moldavia të cilave para shumë vitesh komisioni Evropian ia hoqi vizat e jo një Kosove e cila është 2 milionësh që nuk është as sa një lagje e Berlinit.” tha Reka.

Reka shtoi se bisedat që ka pasur më zyrtarë të BE-së për këtë çështje janë shpresëdhënëse

“Kanë mbetur dy kushte jo të pa tejkalueshme, domethënë janë kushte shumë shpejt dhe lehtë të arritshme nëse do të ketë një vetëdije në gjyqësorin tonë që të çkapet nga ndikimi politik dhe të procedojë jo pse e kërkon qeveria e Kosovës por sepse e kërkon profesioni i gjyqtarit. Duhet vetëm të procedohet me rastet të cilat janë taksativisht të numëruara edhe me numër edhe me emër”, tha Reka

Ai theksoi se ka pasur takime me ministra të me qëllim të plotësohen kushtet që janë parakusht për eliminimin e hezitimit të shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën.

Ai tha se është optimist se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit, derisa ka shtuar se refuzon të jap data se kur do të ndodhë.

“Unë mund të them se brenda këtij viti jam optimist se do të hiqen vizat, këtë optimizëm e bazoj edhe në dy presidencat Kroate dhe Gjermane që janë presidenca miqësore, të shteteve mike dhe sidomos pos Kroacisë që edhe publikisht pa rezervë do të na përkrahin në procesin e liberalizimit të vizave por unë konsideroj se edhe një Gjermani e fuqishme që është motori I integrimeve Evropiane, do të shpaloset edhe një herë mundësia që nëse jo brenda presidencës kroate deri me 1 korrik nga 1 korriku i këtij viti ku 6 mujorin e dytë e ka presidenca Gjermane të krijohen të gjitha parakushtet edhe politike që ky proces gati një dekadësh të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.”

Ai tha se në ministrinë që ai udhëheqë ka gjetur shkresa ku kërkohen dëshmi të sakta për përfundimin gjyqësor të rasteve të kriminalitetit dhe korrupsionit të lartë dhe se ofrimi i këtyre dëshmive është një parakusht për t’i bindur tri shtetet të cilat ende nuk janë të bindura që të votojnë pro liberalizimit të vizave.

“Gjeta shkresa dokumente ku me vite është theksuar që problemi kyç për mos heqjen e vizave mbetet ofrimi i dëshmive të sakta, “track record” për përfundimin gjyqësor të rasteve të kriminalitetit dhe korrupsionit të lartë. Dhe unë nuk e kuptoj nëse kjo është thënë me vite përkundër faktit se në aspektin teknik Kosova në raportin e fundit të Komisionit Evropian i ka përmbyllur të gjitha kriteret për liberalizim, 95 kritere, përkundër faktit që Parlamenti Evropian po ashtu e ka dhënë deklaratën apo rezolutën e përkrahjes së këtij procesi, tani sot habitemi përse 2-3 shtete të cilat nuk do t’i përmendi për arsye diplomatike ende kanë hezitim. Këto janë tri shtete që na kanë njohur, nuk kemi të bëjë me refuzim të shteteve mos njohëse. Kemi të bëjë me shtete mike, përkrahëse por të cilat nuk po mund të binden se si është e mundur që për vite të tëra nuk mund të përfundoj një proces gjyqësor I profilit të lartë në fushën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nuk kemi hezitim të ministrive të punëve të jashtme të këtyre shteteve por hezitimi është ministrive të punëve të brendshme. “ tha Reka.

Duke folur për metodologjinë e re për anëtarësim në Bashkimin Evropian të prezantuar nga Komisioni Evropian, Reka tha se kjo metodologji do ta vështirësoj anëtarësimin e vendeve aspirante.

“Për dallim nga strategjia e deritanishme e zgjerimit, tani procesi bëhet më gradual, më i kushtëzuar më reversibil edhe më kredibil politikisht. Në strategjinë e deri tanishme të BE-së fjalën kryesore në tërë procesin e udhëheqjes së negociatave e kishte Komisioni Evropian dhe ndodhte që Komisioni Evropian pas 10 vitesh kur rekomandonte pozitivisht për anëtarësim ndodhte që Këshilli Evropian mendonte ndryshe. Tani me strategjinë e re, Komisioni Evropian se bashku me Këshillin duke i inkuadruar edhe shtete anëtare do ta monitorojnë këtë proces pra do të hiqen befasitë e fundit kur dikush mendon se ka arritur në fund të procesit. E vështirëson në kuptimin e reversibilitetit sepse tani e tutje një kaptinë e hapur dhe e mbyllur nuk do të thotë që është definitivisht e mbyllur sepse do të monitorohemi si shtet edhe pas mbylljes dhe nëse do të konstatohet.

Reka: Stafi në MIE profesional, s’është përfillur nga udhëheqjet e kaluara

Ministri i Integrimit Evropiane, Blerim Reka, në Rubikon të KTV-së tha se në ministrinë të cilën ai e udhëheq ka kuadro profesionale por që nuk janë përfillur sa duhet nga udhëheqja e kaluar.

“Nga ajo që kemi gjetur në formë të shkruar, pra në arkiva, nga bisedat që pata me të punësuarit në ministri, bartësit e funksioneve, nga mbledhjet që bëra me nëndrejtorët e kësaj ministrie, arrita në një përfundim se për dallim nga ajo që më doli si përshtypje e parë e mungesës së vullnetit politik për t’i quar proceset integruese përpara në të kaluarën, në Ministrinë e Integrimeve Evropiane gjeta kuadro profesionale, të përgatitur. Pra, një kapacitet të mirëfillte institucional, administrativ, profesional që mund t’i çonte përpara proceset. Përshtypja ime është që ky kapacitet profesional që ekziston dhe ka ekzistuar edhe më herët në Ministrinë e Integrimeve Evropiane nuk ka qenë përfillur sa duhet apo nuk ka qenë sa duhet i afruar në udhëheqjen politike apo në atë që quhet mungesa e vullnetit politik”, ka thënë ai.

Reka ka listuar ngecjet e deritanishme në këtë ministri, duke thënë se mos zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Programi i Agjendës Reformuese Evropiane dhe zvarritja e fondeve të IPA-s janë disa nga çështjet kryesore që është dashur të adresoheshin kohë më parë.

“Nuk dua që këtë që po e them tani të merret si kritikë për udhëheqjen e mëparshme të kësaj ministrie por nëse programi kombëtar i zbatimit të marrëveshjes për Stabilizim Asocim është implementuar vetëm 50 për qind, nëse ERA 1 apo Programi i Agjendës Reformuese Evropiane e cila do të duhej të përfundonte në vitin 2017 dhe ne hymë në vitin 2020 dhe nuk ka përfunduar, nëse në këtë ERA 1 vetëm 10 nga 22 prioritetet ishin zbatuar dhe ende nuk kemi filluar me ERA 2, nëse jemi ende para përmbylljes së IPA 3, nëse ajo që gjeta në arkiva se me muaj të tëra janë zvarritur 2.4 milionë euro fonde të ndara nga IPA (Fondi për Pri Anëtarësim) për shkaqe të pashpjegueshme dhe të paarsyeshme për mua për të mos proceduar në qeveri, nëse janë bllokuar vijat e vendosjes në vende pune të emërimit të bursistëve të cilët janë shkolluar dhe specializuar në universitetet evropiane, nuk di si t’i komentoj ndryshe, unë vetëm thashë fakte, nuk dhashë vlerësime nuk dhashë kritika”, theksoi ai.

Reka tregon pse nuk u emërua ministër i Jashtëm

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka thënë se në aspektin juridik dhe kushtetues nuk ka ndalesë për kandidimin e tij si ministër në Kosovë.

Ai thotë se ka dy shtetësi, edhe atë të Maqedonisë së Veriut e edhe të Kosovës.

Reka  në Rubikon të KTV-së tha se me përvojën e tij 25 vjeçare në fushën e integrimit evropian, mund të jap kontribut për përshpejtimin e procesit në këtë fushë.

Ai tutje ka treguar se pse nuk u emërua ministër i Punëve të Jashtme, ashtu siç ishte planifikuar në fillim.

“Pos bisedave preliminare, oferta konkrete ka qenë ditën e parë të këtij viti kur Kurti më ftoi dhe më tregoi se do të më ofrojë postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Pastaj zgjatja e koalicionit qeverisës dhe arritja në pikën ku posti i kryekuvendarit ishte nyja e zgjidhjes së problemit, ishte natyrisht që njeriu i dytë më i votuar i Vetëvendosjes të merrte një post të tillë. Duke pasur parasysh se i përkisja kësaj fushe, nuk e shoh si problem”, ka thënë ai.

Ai thotë se çdo flijim që do të bëhej i cili rezultoi me një qeveri të shpresës, ja vlente.

Ai thotë se nuk kishte ndonjë shkelje të personalitetit me ndërrimin e ministrisë, nga ajo e para që ju premtua.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.