Refugjatët afganë nuk mbërrijnë këtë javë në Maqedoni

Numri i shtetasve afganë që do të strehohen tek ne ka mbërritur në 600. Për momentin askush nuk e di se kur do të mbërrijnë refugjatët e parë. Edhe pse mbërritja e kontingjentit të parë pritej deri në fund të kësaj javë, duket se dinamika e ngjarjeve në Kabul ka ndikuar në shtyrjen e këtij fluturimi.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, sot tha se institucionet në vend janë të përgatitura për të pritur shtetasit e parë afganë, ndërsa shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit leje qëndrim të përkohshëm 90 ditorë për personat që tashmë kanë kaluar filtrat e sigurisë. Sistemimi i tyre do të bëhet vetëm nëpër hotelet me të cilat do të arrihet marrëveshje.

“Grupi i parë duhet të vinte të enjten, por për shkak se situate në aeroportin e Kabulit ndryshon në çdo moment. Ishte një periudhë kur u bllokuan fluturimet edhe për ushtrinë. Ne jemi gati edhe nëse vijnë në këtë moment, por gjithçka varet në Kabul se kur do jenë gati për të fluturuar. Ata janë njerëz të cilët kanë punuar me ne, me ushtrinë tonë, me ushtrinë e partnerëve tanë gjatë këtyre 20 viteve dhe jo me fajin e tyre, jeta e tyre tani është rrezikuar dhe kërcënuar”, deklaroi Bujar Osmani- Ministër i Punëve të Jashtme.

Go to TOP