SPORT

Referja e futbollit po ndihmon të merren vendimet e duhura në luftën kundër koronavirusit

Katja Koroleva ka përjetuar më tepër triumfe dhe tragjedi në 11 muajt e fundit sesa që shumica e njerëzve do të përjetojnë në gjithë jetën. Si refere e futbollit, ajo ka referuar pesë ndeshje në Botërorin e futbollit të femrave në Francë vitin e kaluar, shpërblimi më i madh nga loja që e ka konsumuar gjatë atë.

Si ndihmësmjeke, ajo ka kaluar tre muajt e fundit duke punuar ndërresa 12-orëshe në dhomë emergjence në spital, duke luftuar COVID-19.

Ka dallime mes vendimeve që merr Koroleva në fushë futbolli dhe në spital. Ndonjë vendim i gabuar në ndeshje futbolli mund t’i dhurojë penallti ndonjë skuadre. Por, një vendim i gabuar në dhomën e emergjencës ka pasoja të rënda, të cilat ajo preferon të mos i mendojë.

“Sporti është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Por, përfundimisht, jeta është më e rëndësishme. Nuk ka asnjë sport më të rëndësishëm sesa jeta”, ka thënë Koroleva për LA Times.

Pasioni i Korolevës dhe profesioni i saj nuk janë të lidhura, por ka ngjashmëri.

“Shumë nga shkathtësitë në referim, si qetësia nën presion, menaxhimi i stresit, marrja e vendimeve në situata të vështira, këtu shërbejnë mirë për dikë që është në vijën e frontit të betejës me pandeminë COVID-19. Tash këto shkathtësi kanë qenë shumë të rëndësishme”, thotë Kari Seitz, që është në komisionin e referimit në FIFA.

Koroleva shton: “Asnjëra fushë nuk është bardhezi. Ka rrugë që mund të marrim bazuar në instinktin tonë që kryesisht bazohet në njohurinë e kaluar dhe në kuptimin e situatës”.

Koroleva ka parë zhvillimin e pandemisë nga brenda dhomës së emergjencës në Qendrën Rajonale Mjekësore në San Jose. Gjatë ditëve të hershme të përhapjes së shpejtë të virusit në Santa Clara County, orët ishin të gjata dhe ishte ritëm shumë i lodhshëm, si në aspektin fizik ashtu edhe emocional.

“Ishte kohë shumë e vështirë”, ka thënë Koroleva, që po kujdesej deri në dhjetë pacientë brenda ditës. “Ne hapëm një repart ndaras për pacientët me COVID dhe kishte vazhdimisht ndryshime të kërkesave dhe udhëzimeve nga Qendra Për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve”.

Ishte një punë konstante ekipore, një gjë tjetër që Koroleva e ka mësuar në fushën e futbollit. Në pesë detyrat e saj të para si refere në Kupën e Botës, ajo ishte refere e katërt – një punë kryesisht anonime që, nëse bëhet në mënyrë korrekte, largon presionin nga referja kryesore dhe e bën gjithë ekipin e referimit të duket mirë.

Ka ngjashmëri me punën në dhomën e emergjencës.

“Këto kualitete e shquajnë atë”, thotë Felisha Mariscal, që ka referuar ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare përkrah Korolevas dhe ka punuar me të edhe në Botërorin e vitit të kaluar. “Ajo lidhet shumë lehtësisht me njerëzit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.