Hi Tech

Realizohet me sukses fluturimi i parë i aeroplanit më të madh në botë me dy motorë

Kompania “Boeing” e ka realizuar me sukses fluturimin e parë testues të aeroplanit më të madh në botë me dy motorë. Ky model i aeroplanit quhet “777X”.

Ky sukses vjen në kohën kur prodhuesi amerikan po përpiqet ta përmirësojë imazhin pas largimit nga përdorimi të modelit “737 Max” si pasojë e dy aksidenteve fatale, në të cilat vdiqën 346 persona.

Fluturimi nisi në Seattle dhe zgjati katër orë. Fluturimi ishte planifikuar edhe dy herë të tjera më parë, por ishte anuluar për shkak të erërave të fuqishme.

Për t’u bërë pjesë e fluturimeve të rregullta, aeroplani gjigant duhet t’i bëjë edhe disa teste të tjera.

Aeroplani i gjatë gati 77 metra fillimisht është menduar se do të përdoret për udhëtarë gjatë këtij viti, por një gjë e tillë është shtyrë për shkak të disa vështirësive teknike.

Kompania ka thënë se tashmë i ka shitur 309 aeroplanë të këtij modeli, secilin prej tyre me çmim prej 442 milionë dollarësh.

Ky aeroplan mund të krahasohet me modelin “Airbus A350-1000”, me të cilin mund të fluturojnë rreth 360 pasagjerë.

Prodhuesi amerikan ka qenë në krizë që nga aksidentet fatale me dy aeroplanët e saj. Njëri ndodhi në tetor të vitit 2018 në Indonezi, ndërsa tjetri në mars të vitit të kaluar në Etiopi, shkruan “BBC”, transmeton Kosova.info.