SPORT

Reagon Kastrati: Kurrë nuk e kam refuzuar Kosovën A, dua ta ndihmoj kombëtaren U21

Talenti kosovar, Lirim Kastrati, i është përgjigjur përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes që tha se lojtari kishte kërkuar garanci se do të luajë për ekipin A në ndeshjet ndaj Çekisë dhe Anglisë, të vlefshme për kualifikueset për Euro 2020.

Në një përgjigje për KTV-në, Kastrati ka thënë se kurrë nuk e ka refuzuar Kosovën A. Teksa Challandes tha se nuk i jep askujt kurrë garanci për lojë, Kastrati ka deklaruar se ka dashur të dijë a do të luajë te Kosova A pasi në këtë kohë edhe Kosova U21 ka lojë dhe “më mirë të ndihmoj Kosovën U21 sesa të qëndroj në bankë te Kosova A”.

Challandes thotë se Kastrati i kërkoi garanci se do të luajë ndaj Çekisë e Anglisë

Kastrati, që po shkëlqen te Lokomotiva e Zagrebit me pesë gola e tri asistime në shtatë ndeshjet e fundit, ka thënë se gjithmonë do të respektojë vendimet e përzgjedhësit Challandes.

“Unë nuk e kam refuzuar asnjëherë Kosovën A, madje unë kam pas ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe nuk kam shkuar, por kam ardhur të luajë për Kosovën dhe për këtë jam shumë i lumtur. Menaxheri im ka biseduar me Challandesin dhe ka kërkuar të dijë a do të ketë minuta për mua apo jo. Besoj se është e drejtë të pyesim dhe të shohim ku jemi. Kjo është bërë për faktin se ka ndeshje edhe Kombëtarja U21 dhe mendoj se më mirë është të luajë dhe ta ndihmoj Kosovën U21 sesa të qëndroj në bankë. Jam në formë të mirë te klubi im dhe dua të vazhdoj me këtë formë edhe te Kosova. Çdo herë i kam respektuar vendimet e Challandesit dhe do t’i respektoj, pasi është trajner me përvojë. Kosovës A i uroj suksese në dy ndeshjet e radhës. Unë jam vetëm 20 vjeçar dhe dua ta ndihmoj vendin tim. Kam luajtur për U19, U21 dhe Kosovën A. Do të luaj aty ku mund të jap kontribut, duke mos e refuzuar kurrë ftesën e vendit tim”, ka deklaruar ai.

Kosova A luan me Çekinë dhe Anglinë më 7 dhe 10 shtator, ndërsa Kosova U21 luan me Anglinë U21 më 9 shtator.