Kosova

Reagimet për fotografinë

Gjatë seancës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, publikoi para mediave një fotografi me pamje grafike të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Publikimi i fotografisë nxiti reagime në Kuvend dhe jashtë tij.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, tha në foltoren e Kuvendit se kishte një kërkesë nga familjarët e viktimës që fotografia të hiqej.

“Kisha kërkuar që të hiqen fotografitë, familjarët janë të shqetësuar, janë tepër të shqetësuar me pamjet”, tha Bogujevci, e cila është e mbijetuar e njërës prej masakrave të luftës në Kosovë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar në lidhje me këtë fotografi duke tërhequr vërejtjen se “publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”.

Edhe ish presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka reaguar, duke thënë se “publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndërkaq ka njoftuar se “me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”.

Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.