Kosova

Reagime të shumta pas vërsuljes së Ukajt ndaj Osmanit, LDK-ja hesht

Reagime të shumta ka nxitur vërsulja e deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj, ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani në seancën e së premtes mbrëma.

Osmani ka njoftuar se ka hapur rast në polici ndaj bashkëpartiakut të saj deputet për kërcënim fizik e gjuhë banale.

“Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, ka thënë Osmani.

Këtë sjellje të deputetit Ukaj e ka dënuar ashpër Instituti Demokratik i Kosovës, i cili ka kërkuar që ndaj tij të merren masa disiplinore, raporton KOHA.

LDK-ja e as Grupi Parlamentar i saj nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit për të kuptuar qëndrimin e partisë lidhur me këtë ngjarje.

Ndërsa, Rrjeti i Grupit të Grave e ka vlerësuar shqetësues trajtimin e kryeparlamentares, derisa ka bërë thirrje që mospajtimet të zgjidhen me argumente e jo me veprime kërcënuese.

“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, thuhet në reagimin e RRGK-së.

Pas përplasjes ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, sipas së cilës, Kuvendi ka humbur kohë në sulme personale në vend se të kryejë përgjegjësitë e tij.

“Dy muaj më parë ne u bëmë thirrje të gjitha palëve të ulin retorikën e politizuar dhe të bashkohen për të zgjidhur krizat ekonomike dhe shëndetësore. Kuvendi ka humbur kohë në shpërqendrime dhe sulme personale në vend që të kryejë përgjegjësitë e tij. Populli i Kosovës meriton më mirë”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Kurse, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se të gjithë duhet të përmbahen nga dhuna, veçanërisht ndaj një gruaje.

“Të gjithë duhet të angazhohen për një konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e lëre më në Shtëpinë e Popullit, veçanërisht ndaj një gruaje – kryetare e Kuvendit”, ka thënë Apostolova.

Kësaj situate i parapriu një përplasje ndërmjet deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe asaj të Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Musliu ka thënë se është detyruar të përdorë këto fjalë, pasi Pacolli po e ndërpriste.

Kurse deputetja Pacolli e ka akuzuar Musliun për sulme të njëpasnjëshme verbale dhe shantazhe ndaj saj.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483