Kosova

Reagim i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndaj deklaratave të disa blegtorëve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural hedh poshtë insinuatat e disa blegtorëve, të cilët duke u thirrur në emër të shoqatave të industrisë përpunuese të qumështit, po dezinformojnë se nuk është bërë asgjë për t’i dalë ndihmë këtij sektori.

Nuk janë të sakta insinuatat e personave në fjalë, të cilët po promovojnë aktivitete për mosveprime që kinse ka bërë Kryeministria dhe MBPZHR, në krye me ministrin Besian Mustafa. Në realitet, të njëjtit, permanent kanë përcjellë problemet në këtë sektor dhe kanë marrë për obligim përmbushjen e kompensimit të 25 përqind të vlerës së stoqeve të qumështit të freskët dhe nënprodukteve të qumështit me bazë yndyrën shtazore.

Në këtë drejtim, janë formuar edhe komisione nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore, të cilët janë duke bërë regjistrimin e fundit të këtyre nënprodukteve.

Procesi i verifikimit të stoqeve është në përfundim e sipër. Pas këtij procesi i cili është çështje ditësh, do të bëhet edhe realizimi i pagesës prej 25 përqind të vlerës, sipas deklaratës dhe vendimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.

Nga ana tjetër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është ajo e cila po vazhdon me inspektimin dhe ndarjen e produkteve të qumështit me yndyrë shtazore nga ato me përbërje tjetër.

Rikujtojmë se vaji i palmës, i cili po apostrofohet nga disa individë se i njëjti duhet ndaluar, është përbërës jo i rrallë në industrinë ushqimore, si në vend, ashtu edhe në tregun evropian dhe më gjerë.

MBPZHR është në kontakt të pandërprerë, si me fermerët ashtu edhe me të gjitha shoqatat e fermerëve të Republikës së Kosovës dhe vazhdon të mbetet përkrahësja më e madhe e punës së tyre.