Kosova

Ratifikohet marrëveshja për sigurimet sociale mes Kosovës dhe Zvicrës, Reçica uron pensionistët përfitues

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka bërë të ditur se ka pranuar Notën Verbale nga ambasadori i Konfederatës Helvetike (Zvicrës), Jean-Hubert Lebet, ku konfirmohet ratifikimi i marrëveshjes për Sigurimet Sociale mes dy shteteve.

Reçica ka uruar të gjithë qytetarët për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Zvicrës, ai përmes një shkrimi të bërë në Facebook, ka thënë se me ratifikimin e kësaj marrëveshje do të triumfoj e drejta e qytetarëve për të ripërfituar nga pensionet dhe beneficionet, transmeton Telegrafi.

Shkrimi i plotë:

“Sapo pranova Notën Verbale nga Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Konfederatës Helvetike (Zvicrës) z. Jean-Hubert Lebet, mbi ratifikimin e marrëveshjes historike për Sigurimet Sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës, marrëveshje kjo e cila tashmë është ratifikuar edhe nga shteti Zvicerran.

Me këtë rast uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë ata që për vite të tëra kanë derdhur djersën e tyre me kontributin e dhënë për shtetin Zviceran dhe për mbijetesën e familjeve të tyre në Kosovë.

Ky është një lajm madhor për të gjithë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, sepse me ratifikimin e kësaj marrëveshje më në fund triumfoj e drejta e qytetarëve për të ripërfituar nga pensionet dhe beneficionet, e drejt e cila iu mohua me vite të tëra shumë bashkëkombasve tanë.

Falënderojmë të gjithë bashkëpunët tanë për realizimin e kësaj marrëveshje dhe gjithashtu një falënderim të veçantë edhe për shtetin tonë mik Zvicrën, e cila ka shprehur gatishmërinë që të zgjidhim një herë e mirë çështjen e Sigurimeve Sociale, e cila do të hap rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me shtete të tjera.

Qytetarët tanë do të njoftohen së shpejti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me këtë marrëveshjeje dhe të gjitha procedurat për aplikim dhe realizim të të drejtave të tyre. 
Urime të gjithë qytetarëve, urime të gjithë pensionistëve përfitues të Kosovës”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.