SPORT

“Rasti Prishtina” nxit dyshime mbi saktësinë e testeve për COVID-19 në Gjibraltar

Futbollistët e FC Prishtinës kanë rezultuar negativë për koronavirus në testet e kryera gjatë së martës dhe të shtunës në Laboratorin Universitar të Gjibraltarit, ka bërë të ditur Drejtori i Shëndetësisë Publike i këtij vendi.

Një gjë e tillë u bë e ditur pasi që klubi nga Kosova e humbi me rezultat zyrtar ndeshjen e vlefshme për kualifikimin në Ligën Evropiane me klubin lokal, Lincoln Red Imps, meqenëse tetë lojtarë të saj rezultuan pozitivë të shtunën në testet e kryera nga laboratori zyrtarizuar i UEFA-s për diagnostikime “Synlab”, transmeton KOHA.

Duke folur për portalin “GBC”, drejtori i Shëndetësisë Publike në Gjibraltar, Sohail Bhatti, ka thënë se diskrepanca mes rezultateve negative të Universitetit dhe atyre pozitive nga “Synlab”-i mund të shpjegohet me faktin se secili prej tyre operon ndryshe dhe kanë destinime të ndryshme.

Bhatti ka thënë se laboratori universitar përdoret për ekzaminimin e popullatës dhe i ka proceset dhe pragjet e veta. Kjo, sipas tij, ka për qëllim që të ofrohen testime të shpejta “por me koston e saktësisë më të ulët”.

Në anën tjetër, “Synlab” është një laborator diagnostikues te i cili kërkohet saktësi absolute, pasi që rezultatet e dhëna janë të dedikuara për përkujdesje spitalore.

“GBC”-ja ka mësuar se “Synlab”-i vetëm ka mbledhur mostrat në Gjibraltar, por se testet në fakt janë kryer në një laborator në Spanjë – mbase në Cadiz apo Fuengirola – se për rezultatet e tyre kërkohen mesatarisht 24 orë kohë.

Shtatë rastet pozitive të evidentuara nga “Synlab”-i, Bhatti bëri të ditur të jenë rishikuar dhe se me këtë rast është zbuluar se ato ishin nën pragun e detektimit të laboratorit universitar.

Ai ka thënë se rezultatet e “Synlab”-it janë ato që merren parasysh nga UEFA për të përcaktuar nëse ndeshjet në kuadër të saj mund të zhvillohen në mënyrë të sigurt. UEFA nuk ua ka kërkuar autoriteteve të Gjibraltarit rezultatet e tyre.

Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, testet e laboratorit universitar “kurrë nuk e gabojnë përqendrimin e lartë të virusit”, gjë kjo që, sipas tij, ishte me rëndësi domethënëse.

Gjithashtu rezultatet nuk përputhen as me ato të IKSHPK-së, para nisjes në Gjibraltar dhe pas kthimit nga atje.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.