Bota

Rasti Khashoggi, vendimet e gjykatës nuk ndalin thirrjet për drejtësi

Arabia Saudite dënoi me vdekje pesë persona për vrasjen në Stamboll në tetorin e 2018-s të gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Në vendimin e marrë të hënën tre persona të tjerë u dënuan me burg, në një total prej 24 vitesh heqje lirie. Por siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari, procesi gjyqësor i zhvilluar në fshehtësi të plotë dhe vendimet që pasuan atë, duke shfajësuar operativë sauditë të nivelit të lartë, ishin shumë pak në drejtim të garantimit të drejtësisë mbi vrasjen e gazetarit të “Washington Post-it”.

Zëvendës Prokurori Publik i Arabisë Saudite njoftoi të hënën përfundimin e gjykimit për 11 të dyshuarit e akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Ai deklaroi se vrasja nuk ishte “me paramendim” dhe se “ishte nxitur nga rrethana të momentit”.

Deklarata pason qëndrimin që autoritetet saudite kanë mbajtur për shumë kohësh, së nuk bëhet fjalë për një komplot në rastin e vrasjes së gazetarit të “Washington Post-it”, në tetorin e 2018-s gjatë një vizite në konsullatën saudite në Stamboll.

Grupet ndërkombëtare që mbrojnë gazetarët e cilësuan procesin qesharak.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo nuk është ajo që duam të shohim të ndodhë për Khashoggin. Kërkesa jonë është që jo vetëm vrasësit të mbahen përgjegjës, por të shkohet dhe në nivelet më të larta të qeverisë saudite”, thotë Sherif Mansour, i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Gjatë nëntë seancave gjyqësore që u zhvilluan në Riad vetëm një numër i vogël diplomatësh, përfshirë diplomatë turq si dhe pjesëtarë të familjes Khashoggi, u lejuan të marrin pjesë ndërsa u ndalua pjesëmarrja e mediave të pavarura. Diplomatët e huaj u betuan se nuk do të publikojnë asgjë rreth procesit, duke bërë pak për të adresuar shqetësimet lidhur me transparencës dhe llogaridhënien lidhur me rastin.

Jamal Khashoggi ishte një kritik i zëshëm i familjes mbretërore saudite. Detajet e vdekjes së tij, të filmuara nga një kamera mbikëqyrëse e shërbimeve turke të zbulimit, ngritën pikëpyetje serioze rreth lidhjeve mes personave që kryen vrasjen dhe Princit të Kurorës Saudite Mohammed Bin Salman. Por ky i fundit e ka mohuar të jetë përfshirë në vrasjen e gazetarit.

Një prej të pandehurve në procesin gjyqësor ishte një ish-ndihmës i gjykatës mbretërore saudite, Saud al-Qahtani. Besohet se ai ishte ideatori i vrasjes së gazetarit. Por në fund të procesit, Saud al-Qahtani u lirua nga të gjitha akuzat.

“U krye një hetim nga Prokuroria e Përgjithshme pasi ishte ngritur një akuzë ndaj tij. Por gjykata vendosi lirimin për shkak të mungesës së provave për ta dënuar lidhur me këtë rast”, tha zëvendës Prokurori Publik Shalaan al-Shalaan.

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet pa gjyq Agnes Callamard, hartoi një raport mbi çështjen Khashoggi. Ajo e cilësoi gjyqin një “tallje” dhe “antitezë të drejtësisë”.

Në një postim në twitter të hënën, zyrtarja e OKB-së fajësoi “shtypjen politike, korrupsionin dhe shpërdorimin e pushtetit” në Arabinë Saudite. Ajo foli dhe mbi “përgjegjësinë ndërkombëtare” për atë që ajo e quajti “mungesë ndëshkimi në rastin e vrasjes së një gazetari”. Eshtrat e Jamal Khashoggit nuk janë gjetur ende.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 17 shtetasve sauditëve të dyshuar se janë përfshirë në vrasjen e tij. Megjithëse e ka dënuar aktin Presidenti Donald Trump ka qëndruar në krah të princit saudit si dhe mbrojtur lidhjet me Riadin.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.