Kosova

Rasti i dy shteteve të Ballkanit, që e dëshmon josinqeritetin e BE-së

Ishte vjeshta e vitit 2000. Vetëm një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pak pas rrëzimit nga pushteti në Serbi i Slobodan Milosheviqit.

Vendet e Evropës Lindore, disa më pak e disa më shumë, tashmë kishin avancuar dukshëm në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, teksa tri prej tyre veç ishin bërë anëtare të NATO-s.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor kishte mbetur në pritje, si pasojë e luftërave dhe jostabilitetit që e mbërtheu. Por pikërisht në këtë kohë nisi të hapej një derë edhe për këto vende, në mënyrë që ato të mos mbeten jashtë proceseve që sollën bashkimin e kontinentit të Evropës pas përfundimit të Luftës në Ftohtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në kryeqytetin e Kroacisë u zhvillua Samiti i Zagrebit, i cili e lansoi perspektivën evropiane të rajonit. Kjo perspektivë, në mënyrë më të përforcuar dhe të saktësuar, u përsërit edhe tre vjet më vonë, në Samitin e Selanikut të vitit 2003, vetëm dy muaj pas nënshkrimit të Traktatit të anëtarësimit të dhjetë vendeve të reja në BE.

Që në vjeshtën e vitit 2000 ishte e qartë se secili vend i Ballkanit Perëndimor i ka specifikat e veta. Disa, si Serbia dhe Mali i Zi, duhej të zgjidhnin nëse e donin ndarjen dhe të përcaktonin çfarë raportesh do të kenë. Serbia duhej të dëshmonte edhe se është e gatshme të përballej me të kaluarën e saj dhe përgjegjësinë për konfliktet dhe krimet në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë.

Shqipëria kishte problem konfliktin e brendshëm politik, ndërsa edhe Kroacia ishte nën presion që t’i gjykonte krimet e luftës dhe të bashkëpunonte me Tribunalin e Hagës. Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar dhe për të në atë kohë nuk mendohej shumë, kur bëhet fjalë për aspektin e integrimeve, ngase duhej pritur zhvillimet që do të çonin deri tek zgjidhja e statusit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.