Kombëtare

Mësuesi nga Rahoveci shpërblen nxënësit sepse ata nuk bënë mungesa gjatë vitit shkollor

Në shkollën “Gëzim Hamza-Piktori” në Rahovec, njëri nga mësimdhënësit për ta ulur numrin e mungesave, që nga viti 2016 ka filluar një garë mes klasave, e cila në fund do ta shpërblejë me lojëra sportive dhe udhëtime brenda vendit klasën fituese.

Me të kumtuar lajmin për garën e shpërblimin, nxënësit ishin të gatshëm të bashkëpunonin.

Përveç dëshirës për shpërblimin, ata thonë se me këtë çdoherë e më shumë e kuptojnë rëndësinë e shkollimit, raporton SOT në KTV.

E ka edhe prej atyre që pavarësisht garës, ka me vite që nuk janë shënuar në rubrikën e mungesave.

Sipas mësimdhënësit të kësaj shkolle, ky nuk është viti i parë që ka aplikuar këtë metodë. Viti 20016 shënoi vitin e nisjes së saj. Me formimin e klubit shkollor “Zëri i nxënësve”, Valmir Gashi thotë se i lindi ideja e zhvillimit të një gare mes klasave të kësaj shkolle.

“Rivalët” garojnë me numrin më të ulët të mungesave në klasë, me qëllim të arritjes së shpërblimeve, që rëndomë janë lojëra pas orës së mësimit e ndonjëherë edhe shëtitje brenda Kosovës.

Gashi pohon se është në dijeni që fëmijët do të ishin të kënaqur në qoftë se më shpesh si shpërblim do të kishin udhëtime ditore brenda vendit. Megjithatë, sipas tij, ai mundohet të funksionojë në bazë të kushteve që i ofron shkolla.

E për idenë për t’i mbajtur fëmijët sa më të përkushtuar në shkollë, mësimdhënësi ka përkrahjen e stafit të shkollës dhe drejtorit Enis Berisha.

Që nga fillimi i këtij viti shkollor, ka klasë që kanë disa muaj pa mungesa.

Valmir Gashi thotë se këtë metodë e ka në mendje ta vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, por çdoherë me shpresën për përmirësimin e kushteve, me qëllim të ofrimit të shpërblimeve sa më motivuese për nxënësit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.