Kosova

Rasim Selmanaj rrëfen momentet e masakrës në Burgun e Dubravës: Më mbuluan trupat e të vrarëve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka folur për jetën dhe karrierën e tij.

Fati i Selmanajt ishte i tillë që ai ende pa filluar mirë lufta, derisa po takohej me Daut Haradinajn për planifikimet e luftës, arrestohet nga policia serbe.

“Po ecnim rrugës me Dautin dhe po diskutonim për detajet se kur do të dilnim publikisht, sa ishte numri i ushtarëve, numri i armëve etj, kur policia serbe me një veturë civile duket në rrugë. Dauti me të hasur më thotë se policia dhe vendosëm të shpërndaheshim me shpresë se vetura do të vazhdojë në rrugën e vet. Por, në atë moment policia e rrit shpejtësinë dhe pas disa metrave mua më kapin. Isha i pa armatosur, sepse takimi ishte i rastësishëm”, rrëfen Selmanaj.

Ai tregon se ka kaluar nga burgu në burg, derisa ka përfunduar në Burgun e Dubravës, por edhe nga aty ia doli të shpëtonte.

“Nga Burgu i Pejës na kanë dërguar në Nish e më pas me një skenar të shtetit serb, të gjithë të burgosurve shqiptarë na kanë grumbulluar në Burgun e Dubravës. Ata e dinin se NATO do të bombardonte, e më pas bënë ata që kanë bërë në Dubravë”.

Selmanaj rrëfen edhe momentet e tmerrshme që ka përjetuar në Burgun e Dubravës e deri te masakra ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Në Dubravë kam qëndruar rreth tri javë. Nga NATO është bombarduar rreth tri ditë burgu. Ne kemi qenë në ambient të hapur. Aty janë vrarë shumë njerëz. Në momentin kur ka ndodhë masakra ka dalë një gardian dhe na ka thënë të bashkohemi, sepse aty nuk ka kushte dhe se do të na dërgonin në burgje ku ka më shumë kushte”.

“… Një i  burgosur e ka vërejtë planin e tyre dhe na ka thënë kujdes se do të na shkatërrojnë. Ata kanë filluar të gjuajnë me gjithë arsenalin e armëve që kanë pasur kundër turmës së të burgosurve. Më kujtohet se kur jam shtrirë kam qenë i mbuluar me të burgosur të vrarë e të plagosur. E kuptova se më rridhte gjak nga pjesa e ballit, por nuk e dija nëse isha i plagosur rëndë. Të burgosurit provonin të ngriheshin dhe të largoheshin pasi pas 100 metrave ishte një pjesë ku nuk e kapnin plumbat. Kur e ngrita kokën e shikoja se nga rreth 30 të burgosur që vraponin shtatë a tetë prej tyre binin në tokë, sepse vriteshin”.

Selmanaj tregon se kishte provuar “shansin” e tij për të vrapuar dhe kishte arritur të shpëtonte përkohësisht nga plumbat.

“Nga ajo masakër kishin mbetur të vrarë 125, janë plagosur rreth 300 të burgosur. Shumica kemi mbijetuar me plagë të lehta apo të rënda… Pastaj na kanë marrë dhe na kanë transferuar në Mitrovicën e Sremit pastaj në Nish, Beograd, Leskovc”, rrëfen Selmanaj.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483