Kosova

Raportimi i dhunës nga shkollat në Ministri është minimal

Shkollat në vend bëjnë raportim fare të vogël në Ministri të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sa i takon dhunës ndaj nxënësve. Kështu ka thënë Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministri. Ajo ka folur në emisionin Raport lidhur me keqpërdorimin e fëmijëve përmes internetit.

Sipas Jonuzit, shkollat raportojnë në polici kur ka raste të dhunës, por shumë më pak në Ministri.

“Ne jemi të vetëdijshëm se raportimet janë të vogla, thuajse minimale, sa i takon çështjeve të dhunës. Ende ekziston mendësia e shkollave dhe udhëheqësve të shkollave për tu dukur si shkolla të mira, për t’i fshehur rastet, minimizuar ose heshtur. Na mungon raportimi cilësor, por veprimi nuk mungon. Shkollat i raportojnë rastet në instancat tjera siç është policia. Nëse ulemi bashkë të dy institucionet, te ne si Ministri raportimet janë të vogla, ndërsa te policia raportojnë dhe dalim në disharmoni sa i takon nivelit të raportimeve”, ka thënë Merita Jonuzi.

Sipas saj ka shumë gjëra që janë bërë për këtë çështje, si protokolle, modul për menaxhim të rasteve, përmes të cilit sigurohen informata cilësore. Ajo ka treguar se vitin e kaluar janë raportuar vetëm 22 raste.

Jonuzi ka treguar se ministria ka disa vite që shpërblen shkollat që raportojnë. Po ashtu mbahen trajnime e sesione informuese që të kuptohet më mirë çështja në fjalë.

“Ka tema shumë relevante për adresim, ka pasur veprime në kronologji që Ministria i ka iniciuar ndër vite për të adresuar kontestin e mbrojtjes së fëmijëve. Sektori i arsimit ka rol edukimin, që duhet të jetë cilësor. Ne kemi zhvilluar protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në shkollë. Brenda këtij protokolli adresohen të gjitha llojet e dhunës, edhe kjo dhuna digjitale dhe çështjet e abuzimit në internet. Por kërkohet qasje ndër-sektoriale të trajtimit. Shkolla i evidenton rastet dhe fillon t’i menaxhojë brenda rolit të vet. Në momentin që rastet dalin përtej kompetencës së shkollës dhe fushëveprimit të institucionit shkollor, atëherë rastet duhet të referohen në sektorë tjerë, në polici, mirëqenie sociale”, ka treguar Jonuzi.

Në ministri janë të vetëdijshëm se fëmijët në Kosovë e përdorin shumë internetin. Por ai përdoret kryesisht për lojëra e komunikim e shumë më pak për çështje të mësimit.

“Për të adresuar mbrojtjen përgjatë përdorimit të teknologjisë kemi udhëzues se si të përdoret interneti në mënyrë të dobishme”, ka thënë ajo.

Udhëzues lidhur me përdorim të internetit nga fëmijët ka edhe për prindërit e po ashtu për mësuesit.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483