SPORT

Ranglista e FIFA-s, kun dodhёn kundёrshtarёt e Kosovёs?

Përkundër që dy nga tre kundërshtarët e Kosovës në Grupin 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve janë të radhitur shumë më mirë sesa Kosova në ranglistën e FIFA-s, Dardanët e kanë dëshmuar se kjo ranglistë nuk ka vlerë shumë të madhe kur vjen fjala te ndeshjet.

Kosova do të përballet me një grup të vështirë në Ligën e Kombeve, pasi i ka rënë shorti të luajë me dy ndër kombëtarët më të forta në Ligën C, Greqinë dhe Slloveninë.

Kombëtares verdhekaltër i ra shorti – i mbajtur të martën në Amsterdam, të luajë në Grupin 3 të Ligës C në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Përveç Sllovenisë dhe Greqisë, Kosova do të përballet edhe me Moldavinë.

Greqia është ekipi kombëtar i radhitur më së miri në ranglistën e FIFA-s nga ky grup. Aktualisht Kombëtarja greke radhitet e 54-ta, me 1409 pikë të fituara. Grekët i kanë fituar tri ndeshjet e tyre të fundit (kundër Finlandës, Armenisë dhe Bosnjës e Hercegovinës), ndërsa ndeshjen e radhës e kanë këtë muaj kundër Meksikës.

Pas Greqisë, radhitjen më të mirë në ranglistën e FIFA-s e ka Sllovenia, që radhitet e 64-ta me 1365 pikë të fituara. Mirëpo, sllovenët i kanë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit të zhvilluara në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, duke e fituar me epërsi minimale vetëm atë kundër Letonisë.

Pas Greqisë e Sllovenisë radhitet Kosova, e cila momentalisht është në pozitën e 115-të me 1174 pikë të grumbulluara. Megjithatë, gjatë ndeshjeve kualifikuese për Evropian, Dardanët e Bernard Challandes e kanë dëshmuar se mund t’iu marrin rezultate pozitive edhe kundërshtarëve shumë më lart në këtë ranglistë.

 Së fundi, në grupin e Kosovës në Ligën e Kombeve do të jetë edhe Moldavia, e cila është e radhitur në pozitën e 175-të, me 959 pikë deri më tani. Moldavia i ka humbur shtatë ndeshjet e fundit të zhvilluara, përfshirë këtu dy kundër Shqipërisë – në shtëpi humbi 4:0, ndërsa si mysafir në Elbasan Arena humbi 2:0.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.