Kombëtare

Ramë Vataj zgjidhet kryetar i PDK-së në Suharekë

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sot procesin e brendshëm zgjedhor në Degën e Suharekës, ku pas një gare fer e demokratike ndërmjet tre kandidatëve, kryetar i degës u zgjodh Prof.dr. Ramë Vataj.

Delegatët e Kuvendit Zgjedhor në Suharekë po ashtu votuan për anëtarët e Këshillit Drejtues si dhe propozuan delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së.

Në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të pranishmit i përshëndeti zëvendëskryetari Enver Hoxhaj, duke i falënderuar të gjithë aktivistët dhe strukturat e PDK-së për punën e deritashme në realizimin e procesit zgjedhor në secilën lagje të Komunës së Suharekës.

Hoxhaj po ashtu tha se PDK është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit dhe për integrimin në strukturat euro atlantike.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, folën për platformën Dekada e Re e cila do të thotë evropianizim i Kosovës dhe perspektivë e sigurt për të rinjtë dhe gratë.

Në emër të degës, prezantoi një raport kryetari i deritashëm i degës Blerim Xhemjali.

PDK po shkon drejt fundit të mbajtjes së zgjedhjeve në mbarë lokalitetet e Republikës së Kosovës, që do të rezultojnë me mbajtjen e Konventës Qendrore ku do të zgjedhet kryetari i partisë, kryesia qendrore dhe Këshilli Drejtues. /Kosova.info/