Kombëtare

Rama: Zero tatim në fitim dhe zero TVSh deri më 2029, për bizneset e vogël

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi disa biznese te vogla në qytetin e Beratit.

Tregtarët u shprehën të kënaqur për mbështetjen e qeverisë, ndaj biznesit të vogël. Qytetarët pohuan se kjo mbështetje erdhi në momentin e duhur.

Ndërkohë që Rama shtoi se do të rritet tempi i vaksinimit që të ketë një lehtësim gjatë muajve të verës. Kryeministri deklaroi se po bëhet çmos që vendi ynë të sigurojë vaksinat. Me vazhdimin e procesit të vaksinimit pritet që gjatë verës të ketë një “frymëmarrje” edhe për bizneset e prekura nga pandemia.

Lidhur Tatim Fitimit Zero dhe të TVSh-në zero, Kreu i Qeverisë tha se Partia Socialiste synon që të mbajë sistemin e Tatim Fitimit Zero dhe të TVSh-së Zero deri në vitin 2029.

Po ashtu Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka bërë me dije, në një interpelancë me përfaqësues të bizneseve, se së shpejti do të ngrihet një sistem rimbursimi automatik për TVSh-në e bizneseve”.

“Që të funksionojnë, sistemet duhet të jenë të ngritura në efektivitet të plotë. Kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe po punohet për to. Nuk mund të themi se do të mbarojnë të gjitha këtë vit gjithsesi. Projekti ka një afat dy vjeçar”.

Ministrja bëri me dije se kontrollet fizike nuk do të eliminohen plotësisht nga automatizimi. “Për shkak se duhen shmangur abuzimet, kontrollet fizike duhet të vazhdojnë. Ky mbetet një plan afatmesëm”.

Për sa i përket rimbursimit gjatë periudhës 2019-2020, ministrja shpjegoi se “në vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë, u shlyen 21.6 miliardë lekë detyrime ndaj bizneseve”. Në 2019-ën ndërkohë kanë qenë 23 miliardë lekë të shlyera.

“Plani ynë është që brenda qershorit, shuma e rimbursimit të detyruar të jetë zero”, theksoi Denaj. “Kemi një marrëveshje me kompanitë e mëdha që funksionon shumë mirë. Ato do të shlyhen me këste”.

Një instrument ligjor që njeh negocimin dhe pagesën me këste për kompanitë e mëdha është vënë në punë në 2019-ën. “Instrumenti realizon gjithë marrëdhënien brenda kërkesave të çdo pale”. /AP/