Kosova

Rama, Vuçiq dhe Zaev takohen sërish për “mini-Schengenin”, pritet të nënshkruhen tri dokumente

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot dhe nesër do të jetë në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të nismës për bashkëpunim të njohur si “mini-Schengen”.

Nesër në Shkup, Rama, Zaev dhe Vuçiq do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, të organizuar nga të tri shtetit.

Tri dokumente që kanë të bëjnë me tregtinë, lejet e punës dhe mbështetjen e ndërsjellë në raste krizash dhe katastrofash, pritet të nënshkruhen në këtë forum.

Edhe Kosova u zotua në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.