Kombëtare

Rama: Tanushi u kthye, jo për të shkuar në shtëpi, por për t’u bashkuar në banesën e kombit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka dhënë lamtumirën e fundit, majorit Klodian Tanushi.

Në ceremoninë zyrtare mbajtur në nder të tij, Rama tha se major Tanushi i bashkohet familjes së Kombit, në varrezat e Dëshmorëve.

“Për herë të dytë në një hark të shkurtër kohe, flamuri kombëtar mbështjell trupin e një tjetër dëshmori të Atdheut. Rikthehemi në një ceremoni funebre si kjo, për t’i dhënë lamtumirën një ushtaraku, prindi të tre fëmijëve, djalë i prindërve, dhe një babi i cili trashëgoi sensin e misionit të FA-së dhe bashkëshort që ndahet krejt para kohe nga gruaja dhe familja e tij. Dhe përsëri është shumë e vështirë për të gjetur fjalë që të mbushin zbrazëtinë e këtij momenti për të gjithë ne, por që do të mbetet aty në zemrën e fëmijëve të gruas prindërve të afërmve e shokëve të tij”, u shpreh Rama, raporton TCH. “Sidoqoftë, shpresoj që prania jonë këtu se bashku me ju, shumë të respektuar prindër e familjarë e shumë të dashur fëmijë të dëshmorit, t’iu jap sadopak krahë për të përballuar humbjen e pazëvendësueshme”.

Sipas Ramës ky është thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse.

“Klodiani ishte në një mision paqeruajtës e jetë shpëtues, e la jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera. Ky është thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse, i Forcave tona të Armatosura si pjesë e Aleancës së madhe. Është më e lehtë të japësh jetën në çaste ekstreme, kur mësyn armikun sy më sy. Por është tejet e vështirë dhe besoj, edhe sublime të pranosh që jeta jote mund të ndalojë në çdo çast për të shpëtuar jetë të panjohurish. Të pranosh të korrësh nga vdekja në një vend që nuk është Atdheu yt, se duke sheshuar plagën e minave antinjeri, ke dashur të mbjellësh farën e mirë që ushqen jetën. Ky është rasti. Dhe ky është momenti për t’u përpjekur ta themi atë që për shumë kënd mund të duket e pakuptueshme. Pse një djalë, një burrë duhet të kthehet pa jetë nga një tokë e panjohur. Sepse sot Shqipëria e shqiptarët dhe FA përmes tyre janë pjesë e këtij misioni, i cili mbart një vlerë të pakrahasueshme, NATO”, ka thënë Rama.

Rama ka shtuar se Tanushi është kthyer mbështjellë më flamurin kuq e zi, jo për të shkuar në shtëpi, por për t’u bashkuar në banesën e kombit.

“Klodiani i ngjiti shkallët e karrierës një nga një, njeri i përkushtuar, fisnik dhe tejet i respektuar. Gjë që shpjegon përtej dhimbjes edhe lotët e panatyrshme në fytyrën e shefit të shtabit teksa foli për të, apo zërin e mezi përmbajtur të ministres. Për shumë pak kohë do të kthehej në atdhe sërish, do ishte pranë familjes, do përkëdhelte fëmijët, do ishte në sytë e babait një arsye krenari, por është kthyer mbështjellë më flamurin kuq e zi, jo për të shkuar në shtëpi, por për t’u bashkuar në banesën e kombit, aty ku Kombi ka mbledhur të gjithë ata që dhanë jetën për të”, u shpreh ai.

Kjo sipas Ramës është edhe trashëgim brezash.

“Duke njohur familjet e dy dëshmorëve, nuk është e vështirë të kuptohet se dinjiteti dhe pasioni për t’i shërbyer atdheut të vijë shumë hollë mes jetës e vdekjes, është edhe trashëgim brezash. Provë e asaj që themi ne shqiptarët, gjaku nuk bëhet ujë. Jeta e Klodianit e Zarifes e qindra të tjerë që shërbejnë në misione, flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë. Flet për shembullin e krijuar ditë pas dite që nga qumështi i nënës e këshillat e para të babait, deri në përfshirjen e FA, e cila është çdo ditë e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi. Ata na tregojnë se paqja ka gjithmonë një çmim. Se bashkimi ka një vlerë”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.