Kosova

Rama padit Haradinajn, ky e quan akuzë të pabazuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ushtruar padi ndaj homologut kosovar Ramush Haradinajn, me pretendimet se ky i fundit ka shpifur me deklarimet ndaj Ramës.

Sipas “Betimit për Drejtësi”, Rama të mërkurën ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai akuzon Haradinajn duke thënë se ai ka shpifur për deklaratat që kishte dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në padi, Rama ka cekur se Haradinaj në disa emisione televizive e ka akuzuar Ramën se bashkë me Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiqin kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve.

Ndërkohë, kryeministri kosovar Haradinaj i është përgjigjur këtij raportimi në mbrëmje duke thënë se do të përgatitë përgjigjen në padi, sipas ligjit.

“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore!” ka shkruar Haradinaj.

Ai e ka quajtur të pabazuar padinë dhe ka thënë se kjo është vetëm “një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë”.

“Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka përfunduar Haradinaj.