Kombëtare

Rama: Do të detyrohemi të aplikojmë gjoba dhe për funeralet

Ceremonitë funerale, qofshin këto fetare apo laike janë ndaluar në të gjithë botën që prej shfaqjes së pandemisë së koronavirusit.

Kryeministri Rama tërhoqi vëmendjen e qytetarëve që si duket e kanë të pamundur të shkëputen nga kjo traditë për të nderuar dhe dhënë lamtumirën më të dashurve të tyre.

Rasti më i fundit ishte ai i Shkodrës, ku me dhjetëra persona u infektuan me COVID 19 gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni mortore.

Rama: Nuk e ndava me ju sot një pamje tmerruese nga një varrim në Peshkopi. Aman o njerëz. Pse me gjoba dhe polici do ta zgjidhim këtë punë dhe për funeralet. Mbase do të detyrohemi të shkojmë deri këtu sepse në Shkodër e infektuan njëri-tjetrin fatkeqësisht në një mort dhe e bënë zinxhir për të shtatat. Lus Zotin të shërohen të tërë dhe të mos sjellë larg qoftë morti mort. Por kështu është kjo luftë.