Kombëtare

Rama dhe Basha replikojnë për vendimin e hapjes së negociatave me BE-në

Pasi ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian vendosën që për negociatat të shprehen në muajin tetor, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke e cilësuar një lajm pozitiv nga Evropa në rrugën e çeljes së negociatave.

“Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Evropës, për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime, molotovë e përgjime baltosësh, Shqipëria po reziston. Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut,me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30 qershor”, tha Kryeministri Rama.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, u shpreh se vendimi për shtyrjen nuk mund te jetë lajm inkurajues për vendin.

“Shtyrja nuk mund të jetë një lajm inkurajues sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që muajin e shkuar. Sidoqoftë Shqipëria ka filluar procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit evropian. Ka ardhur koha që ka përparim të marrë trajtën e një procesi politik”, tha Cakaj.

Ndërkohë për kryedemokrati Lulzim Basha, shkak i mos hapjes së negociatave, është qeveria e korruptuar.

“Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Evropë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit. Evropianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar”, tha Basha.Reagimi nuk ka munguar as nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Luixhi Soreka, i cili u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të vazhdojnë të fokusohen në procesin e reformave, në veçanti në atë të drejtësisë, si dhe u bën thirrje të gjitha palëve për të rifilluar urgjentisht një dialog për të kapërcyer situatën aktuale politike, e për t’i siguruar vendit vazhdimin e rrugës drejt hyrjes në Bashkimin Evropian