Rahoveci prek fitoren e 22-të, mposht Prishtinën

Rahoveci ka vazhduar serinë impresive në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).

Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 37:32.

Për Rahovecin ishte fitorja e 22-të rresht në elitën e hendbollit kosovar dhe kryeson tabelën me 44 pikë. Prishtina mbetet e pesta me 18 pikë, ndërsa e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Deri në minutën e 15-të u zhvillua ndeshje e barabartë. Pasoi një shkëputje e Rahovecit prej disa golash. Prishtina megjithatë nuk u dorëzua, duke u ofruar rezistencë deri në fund vendasve dhe duke e bërë ndeshjen interesante.

Pas shkëputjes 29:21 të Rahovecit, Prishtina ia doli të afrohet në dy gola, 30:28, në minutën e 50-të. “Vreshtarët” megjithatë menaxhuan lojën deri në fund për të arkëtuar dy pikë të reja.

Jeton Bilsimi ishte më efikasi te Rahoveci me shtatë gola. Gjashtë i kishte Victor Alonso, ndërsa nga pesë i realizuan Alban Haziri e Adonit Isufi.

Albi Gjuka i shënoi nëntë gola për Prishtinën. Shtatë i kishte Vladyslav Napadailo, ndërsa Enis Kuleta e Gent Bajrami shtuan nga pesë.

Dy ndeshjet tjera të xhiros së 22-të, Trepça – Kastrioti dhe Besa Famgas – Vushtrria, luhen të dielën prej orës 19:00.

Go to TOP