Kombëtare

Ragmi Mustafa: Këshilli Kombëtar Shqiptar shpreh shqetësimin lidhur me rritjen e shqiptarofobisë në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ka reaguar pas grafiteve që janë bërë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, ku është shkruar “Kosova është Serbi”.

Mustafa në reagimin e tij ka shkruar se këto grafite shqiptarofobe janë produkt i sistemit aktual në Serbi.

 “Këshilli Kombëtar Shqiptar shpreh indinjatën dhe shqetësimin e tij lidhur me rritjen e shqiptarofobisë në Serbi.

Grafitet e fundit në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, “Kosova është Serbi”, janë vetëm tregues të klimës dominuese shoqërore në Serbi kundër pakicave në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shkruar se do të ishte reduktim të trajtohen këto grafite si shprehje individuale e urrejtjes.

“Ato janë produkt i sistemit aktual në Serbi dhe pasojë e diskursit në rritje ksenofob kundër minoriteteve nga politikanët, mediat dhe ministra me ndikim publik në Serbi”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ftuar organet përgjegjëse në Bujanoc që ta zbatojnë ligjin kundër përhapësve të gjuhës së urrejtjes.

“Ndryshe nuk mund të presim reagime të institucioneve shtetërore kur edhe i propozuari për ministër të brendshëm z. Aleksandër Vulin nga mandatarja për postin e Kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë, znj. Ana Bërnabiq, i cili krenohet me fyerjet publike ndaj pakicat kombëtare dhe që ushqen vazhdimisht diskurs ksenofob e shqiptarofob”./Telegrafi/