Raci: Kosova kaloi fazën e parë kritike drejt anëtarësimit në KiE

Kosova ka marrë dritën jeshile në kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci e Këshillit të Evropës (KiE).

E për këtë dritë jeshile Gazmir Raci, analist politik tha në emisionin “Info Plus” në RTK se ky është një kurorëzim i një pune të palodhshme që është bërë që Kosova të bëhet anëtare e plotë.

Sipas tij fazën e parë dhe kritike Kosova e kaloi, e që faza e dytë do të jetë në muajin prill dhe faza finale që pritet të jetë në muajin maj, kur do të votohet përfundimisht që të ftohet Kosova si anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.

Raci shtoi se Kosova ka qenë shumë serioze në adresimin e të gjitha çështjeve që i janë paraqitur, dhe se raporti i fundit i raportueses greke Dora Bakojanis ka qenë shumë i qartë.

“Çështja kryesore u adresua nga Kosova dhe tashmë ka disa elemente apo tema diskutimi që për Kosovën janë pjesë e pandashme e zhvillimit politik dhe demokratik, dhe se korniza kushtetuese, Kushtetuta e Kosovës që nga viti 2008 e deri tani ka ofruar një gamë të gjerë të lirive dhe të drejtave të njeriut sidomos të komunitetet jo shumicë në Kosovë që asnjë vend në rajon nuk i ofron, madje lirisht mund të thuhet se ka edhe shtete anëtare të Evropës që nuk ofrojnë të drejta dhe liri siç i ofron Republika e Kosovës”, tha Raci në RTK.

Go to TOP