Show Biz

R Kelly publikon këngën 19 minuta të gjatë, pranon gabimet jetësore

“E pranoj” duket se po i sjell probleme këngëtarit. R Kelly i përgjigjet kritikave dhe akuzave, pak orë pasi publikoi këngën e tij më të re, “I Admit” ku për plot 19 minuta, ai pranon gabimet që ka bërë në të kaluarën e tij, por ka hedhur poshtë çdo akuzë në lidhje me ngacmime seksuale apo pedofili.

Ai thotë se pranon që ka tradhtuar çdo femër të jetës së tij, por kurrë nuk ka arritur të prekë me dorë një fëmijë apo të kryejë veprime të turpshme me ta. Përgjigja vjen pas investigimeve të rrjetit BBC.

“Nuk i kam respektuar këto femra. Merreni karrierën time dhe kthejeni përmbys sepse prej saj kam arritur të kem shumë femra”, lexohet ndër rreshtat e tekstit. Më pas këngëtari i famshëm i R&B flet për çmenduritë që i është dashur të dëgjojë ndër vite, kur e kanë quajtur vazhdimisht një pedofil, shkruan Tch.

Sot 51 vjeç, ai thotë se ka qenë mjaftueshëm tradhtar dhe kërkon falje për ato që i quan shqisa mashkullore. R Kelly pranon edhe abuzimin ndër vite me alkoolin por për këtë, barrën e fajit ia lë famës dhe thotë se vetëm zoti mund t’ia mbyllë gojën.

R Kelly është këngëtari që të paktën 10 vitet e fundit është përballur pafundësisht me akuza të njëpasnjëshme për abuzime seksuale me të mitur apo marrëdhënie seksuale me dhunë edhe me femra madhore.

BBC publikoi një dokumentar, gjatë të cilit dolën në dritë akuza të reja nga ish të dashurat e tij. Por përfaqësuesi ligjor i Kellyt paralajmëroi betejë të fortë të ligjore, duke mohuar çdo akuzë.

Në fund të këngës “I Admit”, R Kelly thotë se kurrë nuk e kishte imagjinuar se si një artist i madh si ai, do të përfundonte të ishte kaq i përçmuar.