Kosova

Qytetarët të pakënaqur me inicimin e mocionit të mosbesimit në kohë virusi

Gjendja politike e krijuar në dy ditët e fundit në Kosovë ka shkaktuar pasiguri të madhe te qytetarët në kohën kur bota por edhe vendi po ballafaqohen me virusin COVID -19.

Ata thonë se ideja për të shkuar në zgjedhje në këtë kohë është absurde dhe se politikanët nuk po mendojnë fare për qytetarët, raporton KOHA.

Mundësia e rrëzimit të Qeverisë përmes mocionit të iniciuar nga vetë LDK-ja, që është pjesë e saj, po kritikohet edhe nga njohës të rrethanave politike.

Rrahman Paçarizi thotë se kjo ka qenë e panevojshme dhe do të shkaktojë demobilizim te qytetarët, duke shtuar se koncentrimi në këtë kohë do të duhej të ishte në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Paralajmërimet për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë kanë shqetësuar edhe Shoqatën e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

“Duke e ditur se Kosova ka një shëndetësi nën nivel dhe shëndeti publik është i kërcënuar seriozisht, është e pakuptueshme dhe e pafalshme prishja e koalicionit në këtë kohë, duke lënë qytetarët nën mëshirën e COVID-19. Kjo lirisht mund të quhet ‘thikë pas shpine’ ndaj qytetarëve!”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.

E, në mbrëmje është paralajmëruar një protestë më ndryshe, shkaku i rrethanave dhe thirrjeve për të qëndruar në shtëpi.

Përmes rrjeteve sociale, një grup i quajtur ‘Replikë’, që ka dashur të mbesë anonim, u ka bërë thirrje qytetarëve që nga shtëpitë të protestojnë.

“Sot më 19 mars, përmes daljes të secilit prej nesh në ballkon ose dritare në orën ‪20:00, për 5 minuta në të gjithë Kosovën po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme, si çelësa ose tenxhere dhe lugë, për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”, thuhet në reagimin e këtij grupi.

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Vetëm pak orë më vonë, LDK-ja, përmes kryesisë së saj, ka paralajmëruar se do të nisë procedurën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës është.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.