SHËNDETËSIA

Qytetarët raportojnë më shumë se 1 mijë herë për rritje të çmimeve nëpër markete e barnatore

Pas rrezikut që po i kanoset vendit nga pandemia koronavirus, bizneset kanë nisur që ta keqpërdorin situatën menjëherë.

Rreth 1 mijë e 500 thirrje nga qytetarët për ngritje të çmimeve në markete e barnarore ka pranuar Administrata Tatimore e Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme. Sipas zyrtarëve të ATK’së, krahasuar me dje, intensiteti i thirrjeve ka rënë, raporton Express.

Zëdhënësja e ATK’së, Valentina Sefa-Bytyqi, ka thënë se gjatë ditës së djeshme kanë pranuar 1 mijë e 186 thirrjeve përmes së cilave është raportuar për rastet e bizneseve të cilat dyshohet se janë duke keqpërdorur situatën e krijuar nga coronavirusi për t’i rritur çmimet.

Sipas Bytyqi-Sefës, numri i thirrjeve ka shënuar rënie sot.

Numri i thirrjeve te pranuar vetem dje deri ne oren 22:00 ka qenë 1,186 permes se cilave eshte raportuar per rastet e bizneseve te cilat dyshohet se jane duke keqperdorur situaten e krijuar nga coronavirusi per t’i rritur çmimet.

“Ndërsa, vetëm sot kanë qene 271 thirrje, ku vërehet se ka rënë intenziteti i denoncimeve nga ana e qytetarëve. Ne ju bëjmë thirrje që të raportojnë në dy linjat telefonike, të cilat do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 08:00 deri në 22:00”, thuhet në përgjigjet e Bytyqit.

Ndryshe, dje ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka bërë publik një numër ku mund të drejtohen qytetarët për të njoftuar lidhur me rritjen e çmimeve.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për çdo keqpërdorim.

“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”, ka kërkuar ai.

Bislimi ka folur për panikun e krijuar nga qytetarët për blerjen e ushqimeve, kjo për shkak të ngritjes së çmimeve nga supermarketet dhe farmacitë.

Për këtë Bislimi potencoi se inspektorati do të dalë në terren për të identifikuar situatën, e në rast të keqpërdorimit do të mbyllen bizneset.

“Kemi vendosur që njëri prind të qëndroj me fëmijët në krejt institucionet qoftë private apo publike. Që menjëherë të implementojnë këtë vendim që njëri prind të qëndrojë në shtëpi. Në Kosovë nuk ka asnjë person i prekur me coronavirus, por ne dëshirojmë të mbrohemi”. 

“Bizneset në këto situata punojnë për përfitime të përkohshme, ndikon buxhetin dhe në krijimin e një panik të arsyeshme ku qytetarët dëshirojnë të blejnë që mos të pësojnë në ngritjen e çmimeve. Pozicioni kundër biznese të pandershme që mos të përfitojnë nga fatkeqësitë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Kryetari i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se Inspektorati do të dalë në teren për të parë situatën.

Ai ka premtuar se në rast të ndonjë keqpërdorimi nga bizneset, do të bashkëpunojnë me prokurorinë.

“Janë paraparë një mori masash nga qeveria dhe ATK në mbrojtje të qytetarëve në blerjen e produkteve ushqimore. Do të dalim në teren për të vëzhguar situatën. Të mos keqpërdoren situata. Do të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë që të parandalojmë rritjen e këtij fenomeni”, ka thënë Murtezaj. /Gazetaexpress/