Kombëtare

Qytetarët ndihmojnë Policinë në kapjen e një të dyshuari për vjedhje në Pejë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka arrestuar të dyshuarin për vjedhje, Hysen Dobroshi, të cilin e kishte shpallur në kërkim ditë më parë.

“Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 20.12.2019, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar Hysen (Alush) Dobroshi, i cili kërkohej për: 1- (një) rast për veprën penale “vjedhje e rëndë””, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të sigurojë informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe me datë 28.12.2019 është bërë arrestimi i tij nga njësitet policore-ekipi i sektorëve të stacionit policor Pejë – DRP-Pejë.

I dyshuari i lartcekur është dërguar në vuajtje dënimi në Qendrën Korrektuese Dubravë.

Policia tutje shton se rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e tyre do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore.

Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në Polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend më të sigurt.

Policinë e Kosovës në Rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit.