Kosova

Qytetarët mbyllin kanalin në rrugë që e la Komuna e Prishtinës të hapur për disa muaj

Disa banorë të Lagjes së Muhaxherëve, rruga “Shaip Spahija” në Prishtinë, janë organizuar që të mbyllin një kanal, për të cilin thonë se po u shkaktonte telashe tash e disa muaj.

Sipas tyre, përgjegjësinë për mbylljen e tij e ka pasur Komuna e Prishtinës, por që e njëjta, edhe pas ankesave të njëpasnjëshme ndaj saj nga banorët, nuk ka ndërmarrë veprim.

Kësisoj, qytetarët kanë ndërmarrë vetiniciativë që ta mbyllin kanalin rreth 50 cm të thellë.

Faqja në Facebook “Vrojtuesit e lagjes” në Prishtinë, ka thënë se ky kanal është lënë i hapur nga Komuna tash e disa muaj.

“Pas ankesave të njëpasnjëshme në Komunën e Prishtinës, vetorganizohen qytetarët e Prishtinës, në lagjen e Muhaxherëve rruga Shaip Spahija, për mbylljen e kanalit rreth 50cm të thellë dhe rreth 20M të gjatë, të cilin e ka lënë komuna pa e mbyllur tash e disa muaj”, thuhet në njoftim.

“Pasoja ka pasur ku një banore ka lënduar këmbën si dhe kanë ngecur disa vetura po në këtë kanal…”, u tha në reagimin e faqes.