Rajoni

Qytetarët e Tuzit pranojnë izolimin

Në ditën e parë prejse autoritetet në Mal të Zi kanë urdhëruar karantinë pa kushte për qytetarët e Komunës së Tuzit, rrugët e këtij qyteti janë zbrazur.

Të martën mbrëma, autoritetet komunale dhe shtetërore kanë urdhëruar izolim total, pas konfirmimit të 15 rasteve me koronavirus në Tuz.

“Nuk mund të dalim jashtë, pos në kopshtin tonë. Për të gjitha që na duhen, kemi numrin kontaktues të komunës. Ne u japim listën, ata na i sjellin furnizimet në shtëpi. Askush nuk shkon në punë”, tha një qytetare e Tuzit për Radion Evropa e Lirë, emri i së cilës është i njohur për redaksinë.

Në hyrje të Komunës së Tuzit ndodhen edhe patrullat e policisë.

“Duke u izoluar të gjithë mund ta parandalojmë përhapjen e koronavirusit, mund të mbrojmë të rinjtë dhe të moshuarit. E kemi edhe mbështetjen e shtetit”, ka thënë kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Mali i Zi ka konfirmuar 53 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një pacient e ka humbur jetën.