SHËNDETËSIA

Qumështi i nënës, ai artificial, apo qumështi i lopës?

Ashtu sikurse të pasurit një fëmijë është e drejta juaj natyrale, edhe bebet kanë të drejtën e tyre të ushqehen me qumësht gjiri.

Qumështi i nënës është ushqimi ideal i bebit. Ai është ekonomik dhe nuk kërkon para, mund të jepet kudo në kushte të pastra dhe në temperaturën e duhur, nuk ka nevojë për përgatitje.

Fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri sëmuren më pak dhe kjo është një e vërtetë shkencore. Gjiri i nënës ka edhe ndikim psikologjik te fëmija, sepse ai është ambjenti më i qetë dhe i rehatshëm për bebin. Bebet e ushqyera me qumësht gjiri kanë më pak probleme me jashtëqitjen. Sëmundjet e alergjisë dhe sëmundja Coeliac janë më të rralla te fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri. Nënat që japin gji kanë më pak gjakrrjedhje pas lindjes. Kanceri i mitrës dhe gjirit ndeshet më pak, prandaj dhënia e gjirit është e mirë për shëndetin e të dyve; si nënës, ashtu edhe bebit.

Si mund të jepen ushqime shtesë bashkë me qumështin e nënës?.

Nëse nevojiten ushqime shtesë, ato duhen dhënë vetëm pas qumështit të nënës. Kur fëmija është i uritur, ai thith më mirë gjirin dhe e zbraz atë plotësisht.

A mund të përdorë medikamente nëna që jep gji?

Nënat që japin gji, duhet të jenë të kujdesshme në përdorimin e medikamenteve. Ato nuk duhet të përdorin medikamente kur nuk është e nevojshme dhe nëse duhet të përdorin patjetër, duhet të

konsultohen më parë me mjekun pediatër.

A mund të përdorë duhan dhe alkool nëna që jep gji?

Nëna që jep gji nuk duhet të përdorë kurrsesi alkool dhe duhan. Lëndët toksike kalojnë te bebi nëpërmjet qumështit dhe efektet e tyre negative shfaqen te fëmija me kalimin e kohës.

Ushqyerja kur qumështi i nënës është i pamjaftueshëm.

Qumështi i nënës është ushqimi ideal për fëmijët, por pas një farë kohe ai nuk do të jetë i mjaftueshëm. Ushqimet e tjera përveç qumështit të nënës quhen ushqime shtesë. Koha e fillimit të ushqimeve shtesë është koha (muaji) kur pesha e duhur nuk arrihet vetëm me qumështin e nënës (Tabela V). Sado pak të jetë qumështi i nënës, ai duhet dhënë bashkë me ushqimet shtesë. Ushqimet shtesë jepen sipas nevojës një herë, tre herë ose gjashtë herë në ditë.

Kur jepet ujë?

Kur fillohen ushqimet shtesë, jepet gjithmonë ujë midis vakteve. Bebi nëse do ujë e pi, nëse s’do e lë. Por ai nuk thotë dot se kur ka nevojë për ujë, prandaj ju duhet ti jepni atij shpesh. Nuk ka mundësi që bebi mos ta pëlqejë ujin. Nëse ai nuk ka nevojë për ujë, atëherë ai nuk e pi atë. Bebeve të ushqyera me qumësht artificial apo qumësht lope u duhet dhënë ujë herë pas here.

Ruajtja e qumështit të nënës.

Kur qumështi i nënës nuk jepet dot, ai duhet ruajtur në një enë. Qumështi i papërdorur duhet ngrirë. Si pasojë e ruajtjes në frigorifer dhe ngrirjes humbasin cilësitë mbrojtëse të imunitetit, por nuk humbasin vlerat ushqimore. Kur bebi nuk thith mjaftueshëm dhe qumështi mbetet në gji, atëherë ai mund të ekstraktohet me anë të pompës dhe të ruhet në shishe sterile +40 C në frigorifer. Mbi të shkruhet data dhe ora e nxjerrjes. Ai mund të ruhet deri në 5 ditë.

Çfarë ushqimi përdoret në rastet kur qumështi i nënës është i pamjaftueshëm?

Kur qumështi i nënës nuk është i mjaftueshëm, nëse keni mundësi ekonomike, është më mire të përdorni mama të gatshme. Nëse nuk keni mundësi ekonomike dhe nuk mund të blini mama, atëherë përdorni me kujdes qumështin e lopës. Fëmijët nën moshën dy vjeç dhe sidomos ato që janë nën një vjeç që përdorin qumësht lope zhvillojnë probleme të rëndësishme me shëndetin. Bebet e ushqyera me qumësht lope kanë më shumë rrezik për të zhvilluar episode alergjike, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes ose të veshit të mesëm.