SHËNDETËSIA

Njëri kandidat i futet garës për drejtues të ShSKUK-së, tjetri tërhiqet

Përderisa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm Valbon Krasniqi, u fut përsëri në garë gjatë kësaj të marte për kreun e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, një tjetër rival u largua po në këtë ditë.

Saudin Maliqi i cili drejton Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëherësh ish – këshilltar i Ministrit në Detyrë Armend Zemaj, gjatë kësaj dite u tërhoq nga gara për të parin e ShSKUK-së.

Në një përgjigje me shkrim Maliqi shkurtimisht tha për Klan Kosovën “ Konkursi për Drejtor të ShSKUK-së e humbi kuptimin, tërhiqem nga gara e konkurrimit të mëtejmë.”

Megjithatë, Maliqi nuk konfirmoni për televizionin  se largimi i tij për këtë pozitë menaxheriale  është ndikuar nga vendimi i sotëm lidhur me kundër-kandidatin e tij Valbon Krasniqi, për rifutjen e tij në garë.

Mirëpo për këtë pozitë të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor kanë mbetur kohë vetëm edhe 14 ditë që të zgjedhet më i miri.

Veçse nuk dihet se ky proces do të mund të shkoj deri në fund kjo ngase një anëtare e komisionit vlerësues për këtë konkurs, është infektuar me COVID-19, dhe si e tillë ende nuk dihet se a do të zëvendësohet me dikë tjetër.

Në anën tjetër burime brenda Zyrës të Resurseve Njerëzore bëjnë me dije se pas ankimimit që ka bërë Krasniqi ka fituar të drejtën për të vazhduar garën, kjo pasi që i njëjti ka prezantuar një dëshmi plotësuese lidhur me plotësimin e kriterit mbi përvojën menaxheriale në sistemin shëndetësorë.

Derisa kandidatja tjetër Gloria Staka nuk ka ushtruar të drejtën e ankesës mbi eliminimin e saj nga kjo garë.

Të njëjta burime thonë se gjatë kësaj ditë lista e kandidatëve me dosjet përkatëse të tyre iu janë përcjell komisionit vlerësues.